.
×

Kurti e Mustafa sot takohen në Kuvend, ja për çka do të bisedohet?



Botapress 28 Nentor – Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Isa Mustafa, kryetari i LDK-së, sot do të takohen në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
Koha.net nga burime brenda Vetëvendosjes, mëson se takimi do të bëhet në orën 16:00 në sallën 301. “Delegacione të LV dhe LDK takohen të prirë nga kryetarët e subjekteve politike”, ka thënë ky burim. Po ashtu, theksohet për Koha.net, se ashtu siç është paralajmëruar edhe nga takimi i fundit mes Kurtit e Mustafës, në takim do të ketë diskutime për lidhje sa më të shpejtë të koalicionit, tashmë kur edhe është arritur një pajtueshmëri e madhe sa i përket programit qeverisës.
Kujtojmë se dje, në Komisionin Qendror Zgjedhor është bërë certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve. Certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit është bërë i mundur pas vendimit të Gjykatës Supreme, për të mos numëruar 392 pako të ardhura me vonesë nga diaspora. Kërkesën e Vetëvendosjes për numërimin e tyre, ditë më parë e ka hedhur poshtë edhe Paneli për Ankesa dhe Parashtresa, arsyetimin e të cilit e ka mbështetur edhe Gjykata Supreme.
Certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme, e nga të cilat shumicën e morën Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, do të mundësojë finalizimin e marrëveshjes bashkë qeverisëse mes dy partive.