[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Kurti hesht për gjendjen e jashtëzakonshme të shpallur nga Serbia në veri – Veliun e shkarkoi vetëm pse ishte për



Botapress, 4 Prill – Shefi në detyrë i Qeverisë, Albin Kurti, ka heshtur totalisht kundrejt vendimit që shteti serb e mori për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në veri të Kosovës. Forcën, i pari i ekzekutivit e kishte treguar në një moment tjetër: Agim Veliun e kishte shkarkuar nga ministri i Brendshëm vetëm pse i njëjti e kishte mbështetur kërkesën e presidentit Hashim Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ende s’e ka thënë asnjë fjalë për gjendjen e jashtëzakonshme të shpallur nga shteti serb në veri të Kosovës.
Pavarësisht se nga urdhri i fqinjit verior dy komunat e Kosovës, Mitrovica Veriore dhe Zveçani janë futur në karantinë si dhe rreth 200 qytetarë në 5 komuna të vendit janë detyruar të izolohen – shteti s’e ka ndërmarrë asnjë hap, shkruan Insajderi.
Xhelal Sveçla, ushtrues detyre i Ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme ka tentuar të thotë se vendimi është marrë në koordinim të me institucionet qendrore të Kosovës – por dokumentet e nënshkruara në Serbi dëshmojnë krejt diçka tjetër.
“Policia e Kosovës është duke marrë gjitha masat që kjo të zbatohet në plotni”, tha Sveçla, shkruan Insajderi.
Banorët shqiptarë në veri e kanë thënë se Policia e Kosovës në veri është vënë në funksion të shtabit të krizave, i cili vepron nën urdhrat e Qeverisë së Serbisë.
Madje se kjo pjesë nuk është nën kontroll të qeverisë e pranoi mbrëmë edhe Haki Abazi, zv.kryeminsitri në detyrë i Republikës së Kosovës.
Si për ta dëshmuar këtë në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë të gjitha mostrat e personave që konsiderohen potencialisht të infektuar, dërgohen në Institutin për virusologji, vaksinë dhe serum “Torlak“ në Beograd.
Ndërkohë, para disa ditëve, Shtabi i Krizës në veri të Mitrovicës, ka deklaruar se të gjithë të prekurit me koronavirus do të dërgohen për trajtim të mëtutjeshëm në Spitalin e Nishit në Serbi.
Në katër komunat veriore të Kosovës deri më tani janë raportuar mbi 15 raste me koronavirus si dhe është shënuar një viktimë, shkruan Insajderi.
Kurti asnjë masë ndaj ndërhyrjes së shtetit serb në Kosovë – forcën e tregon në rastin Veliu
Presidenti Hashim Thaçi doli mbrëmjen e 17 marsit para gazetarëve dhe i njoftoi ata për dekretin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme pas përhapjes së Koronavirusit në vend.
Qëndrim ky të cilin e kishte marrë pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që vetë Presidenti e kishte kërkuar nga Kryeministri Albin Kurti. Pa dyshim se pjesëmarrës në mbledhje ishte edhe ky i fundit.
Pak para mesnatës Presidenti bëri të ditur se tashmë e kishte nënshkruar dekretin dhe se të njëjtin do ta çonte para deputetëve për votim.
I menjëhershëm atë natë ishte reagimi i Haki Abazit, zëvendësit të Albin Kurti.
“Kryeministri nuk është në pajtueshmëri me propozimin e Presidentit Thaçi. Tani për tani gjendja e jashtëzakonshme është e panevojshme”, tha ai pak para mesnatës në një konferencë për media, shkruan Insajderi.
Por me një qëndrim me Kryeministrin nuk ishte Agim Veliu, tashmë i shkarkuar nga Albin Kurti.
Po mbrëmjen e 17 marsit, Veliu në Klan Kosova e mbështeti qëndrimin e Thaçit dhe sa është pro gjendjes së jashtëzakonshme.
Kjo deklaratë duket se e kishte nervozuar fort Albin Kurtin në mëngjesin e 18 marsit. Si pasojë e kësaj ai e pati shkarkuar Agim Veliun nga ministri i Brendshëm.
Pas krejt këtyre ndodhive – LDK nuk heshti, e inicioni mocionin për rrëzimin e Albin Kurtit.
Dhe ashtu ndodhi, më 25 mars – qeveria ra.
Kurti ishte i vetëdijshëm se qeveria do të prishej pas shkarkimit të Veliut, por a është sot i vetëdijshëm se shteti serb ka ndërhyrë në kompetencat e Republikës së Kosovës?

Menu Title