[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Kush është Elvis Hoxha, personi që zbarkoi në Zyrën e Kryeministrit Kurti



Botapress, 20 Shkurt-Albin Kurti, si shef i Qeverisë, ka ruajtur një vend në zyrën e tij për ndjekësin e tij të përhershëm, filozofin Elvis Hoxha nga Shqipëria. Hoxha është emëruar këshilltar i Kryeministrit të Kosovës.

Elvis Hoxhës i është shpërblyer mundi e gjuha radikale ndaj të gjithë kundërshtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Bashkë me Kurtin, edhe Hoxha ka hyrë në Qeverinë e Kosovës.

Gazeta Express mëson se aktivisti i LVV’së nga Shqipëria është emëruar Këshilltar i Kryeministrit Kurti.

Hoxha po e përcjell Kurtin në disa prej takimeve zyrtare që ai i ka mbajtur së fundmi. Në ceremoninë që u mbajt në kazermën “Adem Jashari” për 12 vjetorin e pavarësisë, ku Kurti iu drejtua ushtarëve, Hoxha u pa bashkë me të.

Po ashtu, kur ministri në detyrë i Shqipërisë për Evropë dhe Punë të Jashtme, Gent Cakaj, erdhi në Prishtinë për vizitë zyrtare, Kurti e priti atë me Hoxhën krah tij.

Filozofi Elvis Hoxha përfaqëson zyrën e Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, që njihet si vija që ka mbajtur qëndrimet më radikale të LVV’së. Fytyrat tjerë të njohura të Lëvizjes në Shqipëri janë edhe Boiken Abazi e Dejona Mihali.

Hoxhën, që është shumë aktiv në Facebook, shpesh e pengojnë raportimet e mediave dhe analistët, të cilët kanë qasje kritike ndaj partisë së tij,

Në postimin e fundit të tij, Hoxha ka kritikuar analistët që po tentojnë ta frikësojnë masën, duke thënë se mosheqja e taksës mund ta bllokojë Kosovën, marrë parasysh vërejtjet dhe kërkesat që kanë ardhur kryesisht nga zyrtarë të lartë amerikanë.

Aktivisti i LVV’së nga Tirana sulmoi edhe gazetarin Adriatik Kelmendi, për intervistën që ai e realizoi me kryeministrin Kurti. Hoxha nuk ishte i kënaqur me nivelin e pyetjeve që i shtroi gazetari, duke thënë se ishin “me cektësi dinake”.

“Pyetjet e djeshme të gazetarit të Rubikonit përmbanin të njëjtën cektësi cinike si dhe më parë. Me cektësinë dinake ai nuk kuptonte që kryeministri po i jepte dinjitetin e vendit duke i dhënë të drejtë tri herë gjatë bisedës. Nga ana e vet gazetari drejtonte të njëjtën pyetje pesë apo gjashtë herë”, kishte shkruar Hoxha në Facebook.

Zyra e Kurtit nuk ka njoftuar për emërime të stafit të Kryeministrit, e as nuk i është përgjigjur pyetjeve të Gazetës Express rreth emërimeve.

Erzen Vraniqi është angazhuar si këshilltar për Media i Kryeministrit.

Menu Title