[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Kush është Salih Mustafa, i arrestuari i parë nga Specialja



Gjykata Speciale ka njoftuar se ka dhënë urdhër për arrestimin e ish-shefit të inteligjencës së FSK-së, Salih Mustafa Në një njoftim nga Specialja, thuhet se Mustafa është arrestuar pas konfirmimit të aktakuzës.

“Salih MUSTAFA u arrestua sot në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi, urdhri për transferim dhe aktakuzës së konfirmuar, të lëshuara nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Speciales.

Po ashtu, aty është konfirmuar se Mustafa po transferohet në Hagë.

“Z. MUSTAFA po transferohet në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake pa vonesë të papërligjur”, thuhet në njoftim.

Por kush është Salih Mustafa?

Mustafa ka qenë pjesë e organizimit të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim, që nga viti 1988, nën udhëheqjen e Afrim Zhitisë, Fahri Fazlisë e Fadil Vatës.

Gjatë veprimtarisë ilegale, ishte arrestuar nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, në vitin 1993 dhe është dënuar me 5 vite burgim për organizim të kryengritjes së armatosur.

Në gusht të vitit 1997, pasi përfundon dënimin me burgim, Mustafa ishte angazhuar për organizimin dhe shtrirjen e UÇK-së në rajonin e Prishtinës, Obiliqit, Gjilanit, Vitisë e Kamenicës.

Ka udhëhequr njësitet guerile të UÇK-së nën emrin guerilja BIA deri me themelimin e zonave operative të Llapit dhe Karadakut.

Mustafa ka qenë bashkëveprimtar i Bahri Fazlisë, Agron Rrahmanit, Ilir Konushevcit, Raif Qelës, Fatmir Humollit, Isa Kastratit e shumë figurave tjera të UÇK’së.

Salih Mustafa ka qenë njëri nga themeluesit e LKQK-së.

Ai shërbeu si shef i departamentit informativ të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, pastaj edhe si këshilltar për inteligjencë i kryeministrit Agim Çeku.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e ka konfirmuar arrestimin e zyrtarit të saj, por nuk e di nëse atë e ka arrestuar Eulex, me urdhër të Tribunalit Special.

“Po e konfirmojmë arrestimin e zotit Sali Mustafa zyrtar civil në Ministrinë e Mbrojtjes”, ka thënë zëdhënësi i ministrisë, Ibrahim Shala.

Megjithatë ministria akoma nuk ka informata se kush e arrestoi zyrtarin e saj.

“Si Ministri e Mbrojtjes ende nuk kemi informacion zyrtar. Jemi në pritje të njoftimit zyrtar për shkaqet e arrestimit. Kurë do ta kemi informacion shtesë do të ju njoftojmë me kohë.”, ka thënë Shala për Expres.

Menu Title