.
×

Kush janë 11 asamblistët e Prishtinës që po garojnë për t’u bërë deputetë



Njëmbëdhjetë këshilltarë komunalë të Prishtinës i kanë hyrë garës për t’u bërë deputetë në Kuvendin e Kosovës. LDK-ja ka tre këshilltarë komunalë në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.

PDK-ja do të garojë me dy të tillë, aq sa ka kandiduar edhe Lëvizja Vetëvendosje dhe AAK-ja.

Ndërsa, AKR-ja dhe Alternativa kanë nga një kandidat për deputet.

Leonora Shabani-Bajraktari nga Vetëvendosje thotë se Kuvendi Komunal nuk i dha shumë mundësi për të ndihmuar shkollimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, raporton KTV.

Ajo pret që si deputete, të kontribuojë më shumë në këtë aspekt, sidomos në fushën e vullnetarizmit.

Kolegia e Shabani-Bajraktarit në Kuvendin Komunal, Vlora Dumoshi, thotë se partia e saj e ka parë të nevojshme që ajo ta vazhdojë angazhimin në nivelin qendror.

Listat e manipuluara të veteranëve të UÇK-së, sipas Migjen Shalës së PDK-së, e kanë shtyrë atë të kandidojë për deputet. Nëse fiton ulëse në Parlament, Shala thotë se do ndihmojë në pastrimin e këtyre listave.

Kandidat për të fituar një ulëse në Parlament, është edhe ministri në detyrë i Shëndetësisë nga PDK-ja, Uran Ismaili, i shumëkritikuar për mungesa në mbledhjet e Kuvendit Komunal.

Nga kabineti i kryetarit të Prishtinës, përpos Shpend Ahmetit, kandidatë për deputetë janë edhe drejtori për Planifikim Strategjik, Genc Bashota dhe ai i Pronës, Brahim Mehmetaj.