.
×

Kuvendi kërkon nga Thaçi ta funksionalizojë KQZ’në



Botapress 14 Mars- Në mungesë kuorumi Kuvendi i Kosovës nuk arriti ta votojë rezolutën e Vetëvendosjes që kërkonte nga presidenti Hashim Thaçi emërimin e menjëhershëm të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve edhe pse të gjitha partitë ishin njëzëri në këtë kërkesë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka një vit prejse nuk e kryen funksionin e tij. Në mars të vitit të kaluar anëtarëve të këtij organi u kishte përfunduar mandati dhe presidenti i vendit Hashim Thaçi ende nuk i ka emëruar përfaqësuesit e rinj politikë në këtë institucion.

Me një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje dhe të mbështetur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, deputetët kërkuan nga presidenti Thaçi dekretimin e menjëhershëm të anëtarëve të rinj të KQZ-së.

Propozuesi i debatit parlamentar për KQZ-në, deputeti i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, ka propozuar një rezolutë në lidhje me funksionalizimin e KQZ-së me të cilën kërkoi që presidenti të mos e vonojë më tepër procesin e emërimit, shkruan Gazeta “Zëri”.

“Kuvendi i Kosovës kërkon që dekretimi i anëtarëve të KQZ-së të bëhet pa asnjë vonesë, sipas Kushtetutës, Ligjit për Zgjedhje dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 26 gusht 2014. Ju ftoj që në fund të kësaj seance të votoni këtë rezolutë, e cila do të mundësonte funksionalizmin e KQZ-së”, ka thënë Kurteshi.