.
×

Ky është zyrtari i PDK-së që përkrah takimin e Thaçit me Putinin



Botapress, 15 Nëntor – Deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti në Interaktiv të KTV-së ka folur rreth proceseve aktuale të Kosovës.

Në lidhje me qëndrimin e Listës serbe që ka deklaruar se është pro rrëzimit të Qeverisë për shkak të rritjes së taksës ndaj mallrave serbe, ai ka thënë se nuk është befasuar me këtë qëndrim. Megjithatë ka lavdëtuar qëndrimin e opozitës që sipas tij ka treguar pjekuri.
“Nuk besoj se tashmë kjo paraqet risi për sa i përket qëndrimeve të Listës serbe. Ky formulim ka pasur qëndrime të ngjashme sa herë që vendi është përballur me vendime më të rëndësishme. Jam i sigurt se kjo është e kalueshme. Ky qëndrim i Listës serbe nuk i ka joshur partitë opozitare, e kjo është një pjekuri e partive politike, mendoj se ky është një mësim për ta për aq sa ata duan të jenë pjesë e institucioneve”, ka thënë Pajaziti.
Ai më tutje ka shtuar se numrat janë shumë të rëndësishëm në politikë, e edhe Lista serbe është e rëndësishëm. Komuniteti serb, thotë se kanë qenë gjithmonë pjesë e institucioneve, por kemi pasur akordime.
“Ne kishim marrë vendim për të shkuar në zgjedhje për të zhbllokuar proceset, dhe nuk doli se ishte e gabuar, pasi tani kemi ardhur në një fazë të re. Nuk besoj se do të ketë stagnim dhe besoj se do të ketë reflektim të partive politike. Askush që mendon se do të kalkulojë me këto vota (të Listës serbe), nuk besoj se do të jetë i aprovuar mirë nga qytetarët”, thotë ai.
Ai ka thënë se ashpërsimi i debatit për dialogun është normale, megjithatë thotë se PDK-ja ka dhënë zgjidhje me anë të platformës.
“Kemi të bëjmë njërën prej çështjeve më delikate, kemi të bëjmë me Serbinë, dhe debati i ashpërsuar është normal, edhe brenda koalicionit është shpeshherë i tensionuar, e PDK-ja ka qenë gjithmonë aktive. Ne kemi nxjerrë një platformë, një dokument për t’i dhënë zgjidhje këtij procesi, për të nxjerrë ekip të përbashkët, por kjo nuk ka marrë mbështetje. Ka qenë një debat, dhe mbetet për shkak të saj se si presidenti e ka nxjerrë në debat sipas mënyrës së tij. Nuk është se ne duhet të paragjykojmë, e para asnjëherë nuk është sqaruar kjo çështja e kufirit, nuk duhet të paragjykojmë se si do të jetë ky korrigjim i kufirit. Por ne duhet të bazohemi në kushtetutën tonë për ruajtjen e sovranitetit dhe vlerave të tjera”, thotë ai.
Ai e akuzon opozitën për mosmarrje të përgjegjësisë.
“Është vije e hollë që e ndan luftën për pushtet, dhe ikjen nga përgjegjësia për t’u marrë me këtë proces të rëndësishëm, nganjëherë nuk dihet nëse është për pushtet apo është frikë për të marrë përgjegjësi. Është shumë e rëndësishme që të marrim pjesë me dialog. Në këtë proces të dialogut nuk duhet të kemi frikë nga dialogu. Paragjykimi se si do të përfundojë, mendoj se sa më unik të jemi do të jemi më mirë në këtë proces. Ne hyjmë në këtë proces për të marrë njohjen nga Serbia për zhbllokuar gjërat. Nuk është e lehtë kjo me Serbinë. Ata pretendojnë se Kosova është e tyre, e madje i kanë një pjesë të shqiptarëve në territorin e tyre padrejtësisht. E duke manipuluar një pjesë të serbëve në Kosovë fatkeqësisht”, është shprehur ai.
Ai thotë se nuk është serioze asnjë kritikë nëse s’ka alternativë.
“Presidenti po e luan rolin e tij. Mendoj se ai ka informacione më shumë se të gjithë, por ai ka kërkuar nga partitë që të bëhen bashkë dhe të ndërtojnë një platformë dhe të bëjnë një ekip përfaqësues. Ai po sillet brenda kornizave, dhe gjithmonë thotë se s’mund të marrim vendime pa u aprovuar në Kuvendin e Kosovës. Kërkoj që ata duhet të hyjnë në proces që të mos lejojnë që të ketë vendime të këqija. Tanimë dialogu nuk është teknik, është shumë politik, dhe jemi në një fazë kur duhet të ketë një marrëveshje finale afatgjate për të cilën duhet të sillemi serioz. Ata që janë tash në politikë, pozitë e opozitë, duhet të kenë kurajo për të gjetur zgjidhje këtij procesi dhe për t’i dhënë rrugë këtij procesi”, shprehet Pajaziti.
Sipas tij Presidenti e ka detyrë kushtetuese të përfaqësojë ndërkombëtarisht shtetin, ai nuk mund ta bëjë asnjë marrëveshje pa u miratuar në Kuvend. Tema kyçe është dialogu dhe duhet të jenë të përgjegjshëm në këtë proces edhe opozita.
Pajaziti shton se nuk është e interesuar as pozita që të ketë një finale pa përfshirjen e të gjithëve. Duhet të jemi bashkë, sepse është drejtpërdrejt në interes të qytetarëve.
“Në asnjë proces të rëndësishëm Kosova s’duhet të harrojë dhe të lë anash se qytetarët e Luginës janë deklaruar për bashkim me Kosovën. S’do të ishte mirë që kjo të mos trajtohej në nivel të mirë. Pse të mos kemi guximin që të punojmë që qytetarët që janë atje të jenë pjesë e Kosovës, kjo nuk është ambicie e madhe por është një kërkesë legjitime. Për të mbyllur plagët duhet t’iu lejohet popujve të vendosin vet”, thotë ai.
Ai më tutje shton se, “sot e asaj dite kemi sjellje të tillë të opozitës për mendimin tim e papërgjegjshme. Duhet të kemi guximin që të përballemi me këtë proces të rëndësishëm, këtu s’duhet të mbetet askush jashtë vendimmarrjes”.
Pajaziti e shoh pozitive takimin ndërmjet Thaçit dhe Putinit në Paris.
“Thaçi takoi gjithë liderët edhe atë rus, dhe ishte një shans i jashtëzakonshëm, dhe mënyra se si u trajtua Kosova dhe është hera e parë që është trajtuar dinjitetshëm. Evropa ka obligim që të mbyllë çështjen e vizave dhe ta mbyll procesin me Serbinë. Thaçi ka thënë se Putini do ta përkrahte cilëndo marrëveshje që Serbia e Kosova arrijnë. Është një plus që flasim edhe me shtetet që nuk na njohin. Rastet e tilla janë jashtëzakonisht pozitive. Ende besoj te liberalizimi, Ne nuk e kemi fuqinë ta kushtëzojmë BE-në. Nëse ka diçka tjetër që është kusht politik, do të na dëmtonte edhe më tepër. Nëse ndodh që të shtyhet ose të mos realizohet do të zbehte besimin e qytetarëve në BE-në”, deklaroi ai.