[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

L.Haziri: Komunën e Gjilanit e kam gjetur si një “shitore të thyer!”  



Ne kemi vendosur ‘dietë’ të ashpër në dreka e darka  zyrtare dhe duke kursyer në këtë mënyrë, kemi realizuar një numër investimesh në të mirë të gjilanasve

Bisedoi L.Hajdari Bota press

Kryetari  i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, në një intervistë për Bota press e ka përshkruar gjendjen në komunën e Gjilanit pas marrjes së pushtetit në këtë komunë. Ai ka thënë se ka trashëguar borxhe të mëdha dhe se gjatë këtij viti ka vendosur një “regjim dietal” duke i mënjanuar drekat dhe darkat nga buxheti komunal.

I pyetur nga Bota press se në cilën gjendje e keni marrë qeverisjen e komunës së Gjilanit dhe si po përfundoni vitin e parë të qeverisjes në këtë komunë, Haziri është përgjigjur:  Komunën e kam marrë më një mal problemesh ose më mirë të themi, si një ‘shitore të thyer’. Në atë shitore të thyer më është dashur menjëherë të riparoj shumë gjëra. Borxhet e trashëguara janë të mëdha, të cilat na kanë pamundësuar investimet e parapara sepse gjatë vitit 2014 na është dashur t’i shlyejmë hiç më pak se 2 milionë euro. Por, siç thuhet, ‘borxhi nuk pret ditë të bardhë’ dhe kemi vendosur ta bëjmë servisimin e tyre ndaj operatorëve, që kryesisht janë të Gjilanit. Këto obligime nuk kanë përfunduar dhe po paralajmëroj se edhe në këtë vit do të jetë barrë e njejtë në realizimin e këtij objektivi.

Sfida tjetër kryesore ka qenë mbingarkesa e stafit. Duke qenë Komunë e cila ka pasur 132 të angazhuar në punë, ka qenë një barrë jashtëzakonisht e madhe për buxhetin e Komunës, e cila ka marrë shumë mjete buxhetore. Lirimi nga këto obligime, zvogëlimi deri në pikën minimale, ka bërë që pjesa më e madhe e buxhetit të kursehet dhe të planifikohet një mënyrë tjetër e realizimit, apo të gjetjes së mënyrës për plotësimin e hapësirave të punës sepse, për shembull, shëndetësia primare dhe administrata ka nevojë për staf shtesë. Dhe shumë e shumë problem të tjera, të cilat I dinë të gjithë.

Problemi tjetër që dua ta nënvizoj në këtë raport nëntëmujor është banimi. Përkundër që ekziston një numër i madh i shtëpive të zbrazura, e që janë pronarë mërgimtarët tanë, ndërkohë që ne kemi evidentuar një numër të madh të familjeve që janë pa banim. Sipas një grupi punues që është marrë me këtë punë gjatë tërë vitit, ne e kemi arritur ta kategorizuar banimin social, banimin si zgjidhje për disa familje sidomos për sektorin e arsimit apo shëndetësisë, apo shtresa e qytetarëve tanë që ka të ardhura por nuk ka banim të rregulluar dhe kategoria tjetër është banimi për çiftet e reja, që kanë problem serioz dhe është njëri nga problemet që duhet të trajtohet. Ne i kemi dhënë përparësi fondit social, duke vendosur fondin për këtë, duke organizuar solidaritet qytetar për zgjidhjen e këtij problemi dhe duke hyrë në aranzhman tripalësh, në mes të Komunës, donatorit dhe përfituesit në mënyrë që 120 familjet e para të përfitojnë në ndërtim të shtëpive, meremetim dhe pagesë për qira. Problemi i cili i tejkalon të gjitha këto situata është thyerja e kufijve buxhetor. Ne, së bashku me ndihmën e këtij Kuvendi, me arsyetimin që e kemi paraqitur para qeverisë, e në veçanti mbrëmë pas funksionalizimit të Kuvendit të Republikës, kemi ndikuar që të miratohet një buxhet për Komunën e Gjilanit, i cili, thyen kufijtë për 4.2 milionë euro në kategoritë që vërtet kanë qenë zbraztësira serioze për investime në Komunën e Gjilanit, për rregullimin e stafit dhe sektorëve të mëdhenj siç është arsimi.

Poashtu, ne kemi vendosur ‘dietë’ të ashpër në dreka e darka  zyrtare dhe duke kursyer në këtë mënyrë, kemi realizuar një numër investimesh në të mirë të gjilanasve. (Botapress)

 

Menu Title