[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Lajm i mirë nga QKUK-ja, Onkologjia do të fillojë mjekimet edhe me imunioterapi



Në tre mujorin e vitit të ardhshëm, në Klinikën e Onkologjisë në QKUK, pritet që 20 pacientë të përfitojnë prej imunoterapisë, e cila në botë njihet si shtylla e pestë e mjekimit onkologjik.Kjo bëhet falë Listës së Re të Barnave Esenciale, e cila ka hyrë në fuqi në shtator të këtij viti.Drejtori i Klinikës së Onlogjisë, Ilir Kurtishi, thotë se me nënshkrimin e listës së re esenciale është bërë diçka e mirë për Onkologjinë.

“Do të fillojë përdorimi i imunioterapisë e cila sot në botë njihet si shtylla e pestë e mjekimit onkologjik. Janë dy ilaçe të cilët i kemi rekomanduar me rekomandime të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OSHB), e cila na ka monitoruar gjatë gjithë procesit dhe këto ilaçe do të përdoren për sëmundjet e avancuara të lëkurës, sëmundje e cila quhet melanoma malinje metastatike”, theksoi ai.Kurtishi thotë se përveç këtyre dy ilaçeve, lista esenciale për Onkologji ka pasur ndryshime edhe për pesë ilaçe të tjera.“Kemi rekomanduar që ky numër në fillim të jetë 20 pacientë të cilët do të përfitojnë nga këto ilaçe dhe nëse me kohë këto ilaçe, ose numri i tyre është më i vogël, atëherë kjo gamë e përdorimit të këtyre ilaçeve të bëhet edhe ndonjë sëmundje të një organi tjetër, siç janë mushkëritë.

Përpos këtyre dy ilaçeve, lista jonë esenciale ka pësuar ndryshime edhe për pesë ilaçe tjera të reja të cilët nuk i kemi pasur më herët. Ilaçe për mjekim të prostatës, të kancerit të gjirit dhe për mjekim të disa lloje të kancerit me një formë e kimioterapisë , e cila deri tash nuk ka qenë në listë, të cilën mund ta përdorim te format e tumoreve si dhe kemi pësuar një ndryshim për mjekimin e metastazave në kocka”, tregoi Kurtishi.

Drejtori i kësaj klinike, lutet që këto ilaçe të vijnë sa më herët, në mënyrë që të përfitojnë pacientët në nevojë.“Ne planifikimin e kemi bërë qysh në muajin e kaluar dhe presim që në Janar-Shkurt të vitit ardhshëm të filloj me ardhjen e porosive të para të cilët ne i kemi kërkuar, pasi që kjo punë merr kohë për arsye se ofertuesi , kompanitë e ndryshme që kanë këto ilaçe, ato duhet të i porosisim më herët dhe duhet të bëhet transporti i tyre që të vie tek ne. Po shpresojmë dhe lutemi shumë që këto ilaçe të vijnë sa më herët, së paku në tremujorin e parë të vitit 2020 dhe kjo do të ndikojë direkt në benefit të pacientëve, sidomos atyre që kanë nevojë për këto ilaçe”, thotë Kurtishi, sipas të cilit nëse vonohen më shumë, kanë ilaçe alternative të cilat i kanë përdorur deri më tani.

Imunoterapia pritet të përfshihet për herë të parë në Onkologji. Mirëpo, edhe në rajon përdorimi i saj është i vonshëm.“Këto ilaçe Imunoterapi kanë filluar edhe në rajon mu përdor shumë vonë, qofshin në Shqipëri ose Maqedoni vitin e kaluar, ato varet prej pacientit dhe prej peshës së pacientët. Ministria do t’i rimbursojë, një çmim për një seancë e cila mund të shkojë 1000 euro”, thotë ai pwr EO.Sipas Kurtishit, nga Lista e Barnave Esenciale janë larguar katër barna të vjetra të cilat kanë qenë pjese e listës esenciale, por që asnjëherë nuk janë tenderuar.Ndërsa, Faik Hoti, zyrtar për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë për EO se MSh-ja, përmes një qarkore informative ka informuar të gjitha institucionet shëndetësore që të fillojnë zbatimin e saj.“Ka pasur një periudhë kur institucionet kanë kërkuar disa sqarime për paqartësitë eventuale që i kanë pasur, ato tashmë janë tejkaluar dhe gjitha institucionet e dinë që kontraktimet e reja do të thotë inicimi i çfarëdo produkti duhet të bëhet ekskluzivisht në këtë listë”, thotë Hoti.Ai më tej thekson se ka risi në krahasim me listën e vjetër të Barnave Esenciale.

“Listën e re ka pasur mbi 350 propozime të reja, ka risi krahasuar me listën e vjetër. Lista e re është në formatin e listës së OBSH-së, ka produkte të reja për Onkologji për Hematologji, ka një redifinim të listës së anestetikëve, ka një përditësim të listës së antibiotikëve, ka produkte të reja edhe për shërbime të tjera thjesht është një listë më e avancuar, një listë e cila garanton që mund të ketë produkte me cilësore edhe cilat duhet të jenë më kostefektive”, u shpreh Hoti.Revidimi i Listës Esenciale, për herë të fundit është bërë në vitin 2012.

Menu Title