.
×

LDK e quan deputetin e AAK-së Bekë Berisha, “individ me mendësi të prodhimit të kufomave”



Botapress, 25 Janar – Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj një deklarate të deputetit të AAK-së Bekë Berisha i cili mbrëmë në në debat televiziv e kishte shpallur të vdekur kryetarin e LDK-së Isa Mustafën. Përmes një komunikate për media, LDK ka reaguar me këto fjalë” “Nga Gazeta Express, e cila deri sot në mëngjes e mbajti si kryelajm, kuptuam se deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, mbrëmë më 22 janar 2019 në një emision në Televizionin T7 e shpalli të vdekur Kryetarin e LDK-së, Akademik Isa Mustafa. Duhet ta marrim seriozisht faktin që një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i partisë së Kryeministrit, e shpall dhe kërcënon për xhenaze vertikale politike, kryetarin e partisë më të madhe në vend, LDK-së, e cila është në opozitë. Problemi nuk qëndron se në Kosovë kemi individ me mendësi të prodhuesve të kufomave, por është trishtuese që një i tillë është i propozuar nga AAK dhe ka marrë mandatin e përfaqësuesit të popullit në Kuvendin e Kosovës. LDK konsideron se deputeti nuk ka imunitet të shpallë dhe kërcënoj kryetarin e LDK-së si të vdekur, për faktin se ai e konsideron kundërshtar politik. LDK dhe Kosova kanë përjetuar mjaft xhenaze për arsye politike nga dora e njerëzve me mendësi dhe vepra kriminale. Të tillët nuk e kanë vendin në Kuvendin e Kosovës, si të përzgjedhur të partive politike, por e kanë vendin para ligjit, duke dhënë përgjegjësi për shpalljet e kërcënimet e tyre kriminale” thuhet në reagimin e LDK – Zyrës për Informi, përcjellë Botapress.