.
×

Limaj për dialogun: Në Bruksel nuk diskutojmë jashtë asaj që parasheh Kushtetuta e Kosovës



Kryetari i Nismës Socialdemokrate, njëkohësisht zëvendëskryeministër i Kosovës, Fatmir Limaj, ka mbajtur takim me strukturat drejtuese të Nismës në Malishevë, Suharekë dhe Rahovec.
Limaj, ka thënë se Nisma i ka dhënë një frymë të re qeverisjes në Kosovë përmes ideve të ndryshme, sipas tij ajo më e frytshmja, përfshirja e të rinjve, gjë që ai tha se partitë e tjera nuk e mbajnë prioritet dhe nuk i kushtojnë rëndësi.

Duke folur për dialogun, Limaj ka thënë se Nisma nuk pranon të dialogojë me Serbinë jashtë asaj çka parasheh Kushtetuta e Kosovës.

“Ne nuk pranojmë dhe nuk diskutojmë jashtë asaj që parasheh Kushtetuta e Kosovës. Në tavolinën ku është Nisma nuk bisedohet asgjë tjetër përveç këtyre temave; fuqizimit të shtetit të Kosovës, njohjen në OKB, njohje nga pesë vende, por kemi kërkesa edhe për Bashkimin Evropian”, ka thënë Limaj, raporton EO.

Ai po ashtu tha se nuk do ta përdorin dialogun si temë për përçarje politike dhe dobësim të shtetit, por atë e shohin si mundësi për t’i bashkuar forcat politike dhe për ta fuqizuar shtetin.

“Do të shkojmë të bisedojmë, gjithmonë për interesin e vendit tonë, asnjëherë në asnjë rrethanë, dhe me asnjë çmim, nuk ka tavolinë të bisedimeve që Nisma ulet për ta dëmtuar Republikën e Kosovës dhe shtetin e Kosovës. Shkojmë për ta fuqizuar dhe për t’i hap perspektive vendit tonë. I bëjmë apel forcave politike që kanë marrë pelqimin e vendit tonë mos t’i kthejnë shpinën përgjegjësive, lehtë është me ulë kokën me u bë që spo shoh e mos u bë që spo di cka po ndodh, por ashtu vendi nuk ecë”.

Limaj ka thënë se në qytetin e Suharekës do të nisin punimet rreth parkut për të cilin janë ndarë edhe mjetet financiare sipas tij.

“Javën e ardhshme fillojnë punimet me 3 milionë e gjysmë për ta shndërruar parkun në qytetin e Suharekës”.