.
×

MASHT-i piloton në Prishtinë projektin që një mësimdhënës të ligjërojë veç 2 lëndë, prindërit kundër



Një mësues i ciklit fillor nuk do të japë mësim vetëm në një klasë, duke ligjëruar 10 lëndë, por do t’u mbajë mësim nxënësve në paralele të ndryshme dhe jo në më shumë se dy lëndë.

Kjo formë e mësimit do të testohet këtë vit nga klasa e tretë deri në të pestën, në disa shkolla të Prishtinës, raporton KTV. Por, një gjë të tillë e kanë kundërshtuar vazhdimisht prindërit e fëmijëve që mësojnë në shkollën fillore “Nazim Gafurri”, një nga 4 shkollat e përzgjedhura për pilot projektin.

Sipas tyre, mbajtja e orëve nga mësimdhënës të ndryshëm është e tepërt, meqë ata janë mësuar tashmë ta kenë vetëm një mësues klase. Por, mësuesja Kosovare Krasniqi e ka mirëpritur këtë projekt. Ajo është përzgjedhur të ligjërojë Gjuhën Shqipe dhe Natyra e Njeriu.

Ajo thotë se më e lehtë për të është të përgatitet për këto 2 lëndë, sesa për 10 gjithsej sa i kanë ligjëruar deri tash. Arif Abazi, zëvendësdrejtor i shkollës “Nazim Gafurri” tha se kjo metodë e mësimit do të jetë e suksesshme, meqë një mësimdhënës i mirë, dijeninë e tij mund ta shpërndajë edhe nëpër klasë të tjera.

Ministria e Arsimit nuk ka kthyer përgjigje nëse ka vendosur tashmë që në shtator të nisë me këtë projekt. Në nëntor të vitit të kaluar mësimdhënësit kanë mbajtur teste të brendshme për të parë se në cilat lëndë kanë më shumë njohuri që pastaj të mund të klasifikohen për pilot-projektin.