.
×

Mbi 7 orë pritje në Merdare, Kosova fajëson Serbinë për kolonat e gjata



Mërgimtarët kosovar po vazhdojnë të maltretohen nëpër pikat kufitare me pritje shumë të gjata. Madje në Merdare, sipas të dhënave të Qendrës për Menaxhim Kufitar, pritjet shkojnë deri në mbi shtatë orë për të dalë nga territori i Kosovës. Aty janë krijuar kolona deri në dy kilometra.

Kolona të gjata ka edhe te Dheu i Bardhë teksa qytetarët po presin deri në dy orë për të dalë nga territori i vendit.

Në Jarinje, katër orë janë pritjet për të dalë, teksa janë krijuar kolona deri në një kilometër.

Pritje të gjata ka edhe në Muçibabë edhe në Mutivodë, dhe të njëjtat rëndom shkaktohen në dalje të territorit të Kosovës.

Për këtë shkak, ministri i Brendshëm, Ekrem Mustafa ka vizituar dje pikën kufitare të Merdares.

Ai ka fajësuar insitutucionet e Serbisë të cilat sipas tij po i shkaktojnë pritjet nëpër kufi, duke mos i respektuar marrëveshjet e Brukselit për lëvizjen e lirë.

“Kolonat në këtë pikë-kalim kufitar vijnë si rezultat i palës serbe e cila nuk po i respekton marrëveshjet e Brukselit, ndërsa pala kosovare po punon me kapacitete të shtuara, probleme tek pala kosovare nuk ka, për një veturë pritja në pikë kontrollin e Kosovës zgjatë 3-5 minuta. Gjithashtu pala serbe ende nuk është transferuar në objektin e ri të Pikës së Përbashkët Kufitare në Merdare që është ndërtuar nga UNOPS-i”,  tha Mustafa.