.
×

Ministrit Krasniqi s’po i bën përshtypje ngërçi, vazhdon implementimin e projekteve



Memli Krasniqit duket se nuk po i bën shumë përshtypje paqartësia momentale politike në vend, por po e vazhdon aktivitetin e tij si ministër, duke nisur projekte të reja e duke finalizuar ato të nisura.

Për dallim prej tij, ministrat tjerë thuajse fare nuk janë dukur në aktivitete publike. Krejt çka kanë bërë ata ka qenë ndonjë deklaratë e aty këtushme.

E për dallim prej shumë prej tyre, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka pasur dhjetëra aktivitete në këta tre muaj prej pas zgjedhjeve. Veç këtë javë ai ka pasur tri aktivitete kryesore; ka nënshkruar Memorandum me ambasadën amerikane në Prishtinë për ndarjen e 700 mijë dollarëve për restaurimin e Kalasë së Prizrenit, ka përuruar ndërtimin e Palestrës Sportive në Obiliq, ka vënë gurthemelin e Qendrës Rinore në Gjilan, si dhe ka ndarë çmimet vjetore në muzikë, të cilat kanë edhe vlerë financiare për artistët fitues.

Po ashtu, më herët në muajin qershor, korrik dhe gusht janë zhvilluar disa aktivitete siç janë lëshimi i Databazës së Trashëgimisë Kulturore, një uebsajt që prezanton rreth 300 monumente të trashëgimisë kulturore, janë prezantuar projektet, dhe është zgjedhur fituesi për ndërtimin e Pallatit Olimpik, objekt për federatat, e që do të financohet nga MKRS-ja.

Po ashtu ai ka zhvilluar edhe aktivitete tjera duke vizituar lokalitete arkeologjike dhe ka takuar sportistë e drejtues federatash.