.
×

MPJ: Pengesat në kufij po bëhen nga serbët, Kosova po e zbaton Marrëveshjen e Brukselit



Botapress 8 Gusht – Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka reaguar lidhur me, siç ka thënë, propagandën e përhapur nga Beogradi për Marrëveshjen e Brukselit për Lirinë e Lëvizjes.

Nëpërmjet një komunikate, kjo ministri rithekson përkushtimin e institucioneve të Kosovës për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe garantimin e lirisë së lëvizjes në përputhje me marrëveshjen e Brukselit për qytetarët e Serbisë.

Ministria thotë se sipas nenit 3 të Marrëveshjes së Brukselit për Lirinë e Lëvizjes ‘Secila palë mund të aplikojë një sistem përmes të cilit kartat e identitetit do të shoqërohen me dokumente të shkruara ‘hyrje / dalje’ për personat nga pala tjetër që dëshirojnë të kalojnë në një vend të tretë ”.

“Policia Kufitare e Kosovës po zbaton plotësisht Marrëveshjen e Brukselit dhe qytetarët serbë me letërnjoftim janë në gjendje të hyjnë në Kosovë pa asnjë pengesë. Për më tepër, pengesat në kufi po shkaktohen nga autoritetet kufitare serbe, gjë që ka çuar në një kohë të gjatë pritjeje për qytetarët që duan të hyjnë në Kosovë’, thuhet në njoftim.

Ministria thotë se Kosova hedh poshtë të gjitha përpjekjet e lajmeve të rreme të Beogradit për të treguar një realitet tjetër të marrëveshjes së lirisë së lëvizjes.

“Kosova mbetet e angazhuar për detyrimin e saj ndërkombëtar dhe liria e lëvizjes do të sigurohet për të gjithë ata që dëshirojnë të hyjnë në Kosovë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit”, thuhet tutje në njoftim.