.
×

Mrekullia mjeksore, 8-vjeçari rifiton duart! (Foto)



Një 8-vjeçar amerikan bëhet pacienti më i ri që i nënshtrohet një transplanti të plotë të të dyja duarve.

Zion Harvey e përshkroi ndjesinë e të zgjuarit me dy duart si të çuditshme në fillim, por pastaj ishte një ndjesi gëzimi.

Katër grupe kirurgësh punuan për 11 orë për të realizuar operacionin e komplikuar në Spitalin e Filadelfias.

Harvey nuk është i pari që i nënshtrohet një transplanti të këtij lloji, por është më i riu i tyre.

“Për mua ky është një bekim. Jam bekuar me një engjell”, deklaron e ëma e 8-vjeçarit.

Deri më tani, Zion ishte mësuar të hante dhe të luante pa duar, por jo të mbante në krahë motrën e tij të vogël. Për këtë dhe për të luajtur futboll amerikan, ai pranoi t’i nënshtrohej operacionit.

Për 11 orë, katër grupet e mjekëve punuan me intensitet dhe me turne për të lidhur nervat, damarët e gjakut dhe muskujt e duarve me krahët e 8-vjeçarit.

Zion humbi duart dhe këmbët e tij për shkak të një komplikimi të shkaktuar nga një infeksion, kur ishte vetëm 2 vjeç.