.
×

Mustafa: Nekibe Kelmendi, simbol i sakrificës së gruas kosovare



Botapress 19 Qershor – Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, përkujtoi nënkryetaren e LDK-së, veprimtaren Nekibe Kelmendi, në tetë vjetorin e ndarjes nga jeta.

Mustafa tha se Nekibe Kelmendi ishte intelektuale dhe veprimtare e dalluar, që përkundër sfidave të mëdha e deshi shumë Kosovën dhe dha kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e saj.

“Nekibes në shenjë hakmarrjeje për veprimtarinë atdhetare, okupatori serb ia masakroi bashkëshortin, Bajram Kelmendin dhe dy djemtë, Kastriotin dhe Kushtrimin. Mbi këtë dhimbje të madhe ajo kultivoi idealin e shtetit të pavarur dhe demokratik.

Nekibja ishte personalitet i kompletuar, e cila në kohët më të vështira për Kosovën u shndërrua në simbol të sakrificës dhe përkushtimin të gruas së fuqishme kosovare për të dhënë gjithçka për vendin”, tha Mustafa.

Kreu i LDK-së u shpreh se Kelmendi ishte grua që kishte durim dhe guxim për të shprehur qartë qëndrimet e saj.“Sot, me Nekiben përkujtojmë të gjitha gratë dhe veprimtaret tona kosovare që përkundër rezistencës së madhe në jetën e tyre, veprimtarinë ia kushtuan shtetndërtimit tonë”, vijoi ai.

Nekibe Kelmendi lindi më 11 maj 1944 në Pejë, kurse vdiq më 19 qershor 2011, në moshën 67 vjeçare, në Prishtinë.