.
×

Mustafa: Rugova e mbante në xhep kristalin e Trepçës për t’ia dhënë Presidentit Amerikan



Botapress 21Janar-I pari i LDK’së, Isa Mustafa në akademinë përkujtimore në 13’vjetorin e vdekjes së ish‘presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova ka folur për marrëdhëniet me SHBA’në, duke përmendur edhe dhuratën që Rugova atëherë mbante në xhep që t’ia dhuronte ish’presidentit amerikan, shkruan Gazeta Express.

Mustafa ka folur për Rugovën, duke e quajtur atë prijësin më të urtë dhe më konsistent që ka pasur skema politike, duke kujtuar dhe vitin 2006’të kur ish’presidenti ndërroi jetë.

“13 vite më parë Kosova në mënyrë madhështore ja dha lamtumirën e fundit presidentit të vet, për ta pohuar edhe njëherë besimin në prijësin Ibrahim Rugova në njeriun më të urtë dhe më konsistent që ka pasur skema politike dhe institucionale e vendit. Në janarin e ftohtë të vitit 2006 presidenti na la kur na duhej shumë për ta kurorëzuar procesin historik të pavarësisë së Kosovës por nuk na la vetëm mbetëm me veprën e tij të madhe dhe themelin e shtetit të pavarur me filozofinë e tij të humanizmit, të paqes dhe tolerancës. Gjatë 2 javë të ditëve të zisë qytetarët treguan nderimin dhe dashurinë  e pashembullt për prijësin e madh të tyre, presidentit Rugova, duke u përshëndetur me të për herë të fundit”, deklaroi Mustafa.

Kreu i LDK’së, tha se me Rugovën lidhet një epokë, ndërkaq, ka përmendur edhe krijimtarinë e tij letrare e çmimet që kishte marrë në këtë fushë.

“Presidenti Rugova ishte prijësi me të cilin lidhet një epokë, epoka e pavarësisë”, shtoi ai.

Mustafa ka folur edhe për jetën e veprimtarinë e ish’presidentit, transmeton Express.

“Rugova dhe bashkëpunëtoret e tij punuan për pavarësinë e Kosovës, që më vonë do t’i bashkohej mbarë populli i Kosvës. Rugova u shëndërrua nga prijësi kulturor në prijës politik nacional.”

Mustafa foli për kohën kur Rugova u zgjodh president, duke përmendur edhe sukseset e atëhershme në zgjedhje.

Ai kujtoi edhe disa udhëtime gjatë kohës kur Mustafa ishte ministër  në qeverinë në ekzil e për një dhuratë që mbante për t’ia dhënë ish’presidentit amerikan.

“Ai fliste me admirim për qëndresën e shqiptarëve në Kosovë, për shpirtin e tyre ndërmarrës, për studentët, për arsimtarët që punonin në shkolla e shtëpi private, për mjekët. Ai ishte i mbushur me besim e shpresë që do t’I dalim në krye. Në xhep mbante një Kristal të Trepçës të mbështjellë me një letër të thjeshtë për t’ia dhënë presidentit të Shteteve të Bashkuara për t’ia dhënë si shenjë për Kosovën, Me qetësi thoshte se me këtë vend kemi mbjellë shpresat tona, kam besimin e plotë se Amerika do të na përkrahë dhe do të na përkrah që ta bëjë shtetin tonë. Ndodhi ashtu si thoshte presidenti jonë”, deklaroi ai.

Sipas Mustafës, LDK edhe më tutje po punon për t’i realizuar prioritetet që kishte parashikuar Rugova.

“LDK po punon që t’i realizon prioritetet e saj që o kishte parashikuar presidenti historik Ibrahim Rugova. LDK mbetet besnike e fuqizimit e partneritetit e miqësisë së përhershme me Shtetet e Bashkuara dhe vendet perëndimore”, shtoi ai.

Sipas të parit të LDK’së, kjo është alternativë e vetme dhe si e tillë shihej edhe nga vetë presidenti Rugova.