.
×

Myfarete Laze: Me këngëtaret e reja mund të bësh dashuri, jo muzikë



TIRANE- Ka zgjedhur pikërisht verën për të sjellë klipin e këngës “Të ndez një shpresë”. Këngëtarja Myfarete Laze, rrëfen për ‘Summer Pages’ sesi lindi ideja për të sjellë një klip me pamjet e shqiptarëve ndër vitet më të vështira. Pranon të flasë dhe për nivelin e këngëtareve në vendin tonë, ku sipas saj u mungon formimi profesional dhe shpirti prej artisti. Krahas muzikës prej pesë vitesh tashmë Myfarete punon në Burgun e Grave. Pjesën e saj artistike ja transmeton çdo ditë grave të dhunuara. Muzikë, kërcim, ekspozita, janë ato që këngëtarja përpiqet të kultivojë tek këto gra. ‘E kush më mirë se një artiste mund ti bëjë të gjitha këto’, shton Myfaretja. Vera për të ka qenë intensive, mes punëve dhe artit ka gjetur kohë për të pushuar. I pëlqen natyra dhe gatimi tradicional, ndaj dhe vera e ka gjetur në Pogradec.
Riktheheni në tregun muzikor me një këngë të re, si lindi ideja për këtë projekt?
Kënga “Të ndez një shpresë” me muzikë të Luan Barovës, teksti Xhuljana Jorganxhi, orkestruar nga Adrian Hila është kënduar në festën e Radio Televizionit Shqiptar në 1999. Falenderoj studion “Sebastian Produksion” që ma dhuroi këtë klip. Filmimet e klipit janë mbledhur nga aktivitete të ndryshme, në ditët më të vështira të shqiptarëve. Klipi edhe mua vetë pas 16 vitesh më ktheu besimin, se ditë më të mira do të vijnë, edhe pse ndonjëherë na sjell te porta ndonjë sëmundje. Mesazhi që kënga përcjell është aktual e çdo dëgjues gjen diçka nga vetja, apo nga jeta e hallet e përditshme. Ndaj vlen për të gjithë e përcillet me shumë dashamirësi nga publiku.
Përse kjo mungesa e gjatë e juaja në skenën muzikore?
Kam qenë e pranishme në çdo festë të RTSH si e ftuar nderi apo Juri, në TVKLAN e ftuar nderi në aktivitete të ndryshme, si dhe e ftuar nga vetë artistët. Gjithashtu në përvjetorin e Agim Prodanit e ftuar nga familja e tij, në natën e recitalit të Frederik Ndocit, po flas për aktivitetet e këtij viti .Pastaj këtu tek ne aktivitetet organizohen dhe varen nga përgjegjësia artistike që ka çdo udhëheqës artistik, por që në përgjithësi i trajtojnë për shije e interesa private. Kritikë s’ka ,shumë këngëtarë mbahen jashtë këtyre aktiviteteve sepse duhet të jetë tallavaja, apo këngëtaruce që bëjnë dy Cd në vit, paçka se s’kanë asnjë vlerë artistike, por paguajnë mirë.
Vera është dhe stina e klipeve ‘hot’, a mendoni se me këngën tuaj i keni konkurruar këngëtaret e reja të tregut?
Vetë fakti që e kam shfaqur klipin vetëm në You Tube në Vevo dhe ka patur shumë klikime të shoqëruara me mesazhe që shprehin një konsideratë të lartë flet vetë për suksesin e klipit, ky është suksesi që unë dua. Mos të harrojmë është kënga që ka sukses që prej 16 vitesh e tani vjen si klip. Gjej rastin të falenderoj të gjithë shikuesit e këtij klipi të të gjithë moshave dhe t’ju shpreh falenderimet më të përzemërta. Do thoni ju pse s’je pak modeste Myfaret? Por duke qenë shumë modeste, duke falur shumë, duke heshtur, janë rritur antivlerat.

 

 


A këndoni dhe për moshat e reja, pra keni krijime tuajat që pëlqehen dhe nga këto mosha?
Repertori i viteve të mia artistike jeton edhe sot. Kjo më bën edhe më krenare se këngët e mia sollën net të veçanta tek ‘100 këngët e shekullit’.Si thua, a kam nevojë për tjetër? Unë kam këngët e mia plot sukses, jo vetëm për vete dhe moshatarët, por edhe të rinj, si dhe këngët popullore të qytetit tim që janë aq të pëlqyera.
Si i shikoni sot këngëtaret e reja në Shqipëri, çfarë u mungon atyre kryesisht?
Formimi profesional. Kultura e përgjithshme muzikore, shpirti artistik, lexojnë pak, këtë e tregojnë tekstet e këngëve që zgjedhin, por mbi të gjitha paraqitja skenike. Me to mund të bësh dashuri, por kurrë këngëtare me personalitet dhe këtë duhet t’ia dimë për nder disa stacioneve televizive. Më vjen keq për artistët e rinj, ato me përvojë të vërtetë artistike e skenike që janë për t’u admiruar e nuk janë të paktë, por që i kanë mbytur këto antivlera.
Mendoni se sot një brez këngëtarësh, ata më të vjetrit janë harruar nga publiku?
Jo, mendoj harruar nga disa organizatorë me qëllim, të papërgjegjshëm për misionin që u është besuar. Të më falni, por publiku na do se ne i falëm me shpirt gjithë vitet tona të rinisë. Shpalosëm vlera nga viti në vit që erdhën në rritje dhe u qëndruam besnike vlerave të vërteta, paçka se gjithçka u kthye në biznes. Këtë po e përsëris, e tregoi publiku që këndonte të gjitha këngët e ‘100 këngëve të shekullit’, si spektakli i parë apo i dytë, apo tek “Kënga ime”. Si mund të thuash të harruar pse nuk dalim në televizion? Po ja, jeni ju gazetarët që nëpërmjet shkrimeve sillni në kujtesë shumë e shumë vlera të të gjitha fushave. Janë ftesa të ndryshme nga qytetet në koncerte brenda e jashtë Shqipërisë. Artistët e vërtetë e kanë publikun e tyre që edhe sot i ndalojnë në rrugë i përqafojnë, kërkojnë foto dhe i kujtojnë pa ndonjë interes. Ose edhe sot këngëtarët e suksesshëm i ndjek publiku i tyre kudo që shkojnë. Ashtu si unë që ndjek në pub-et e natës këngëtarët e mi të preferuar për kënaqësinë që më dhurojnë.
Kohët e fundit në Shqipëri janë shtuar talent show-t, a mendoni se nga këto kompeticione mund të dalin zëra të vërtetë?
Mëse e vërtetë që këto aktivitete janë më shumë kompeticione të mundësive të mëdha. Asnjë konkurrent pjesëmarrës nuk është i rastësishëm, por fryt i një pune të përkushtuar, ndaj ju uroj jetëgjatësi e suksese.
Në gjithë këto vite karrierë, si kanë ndryshuar festivalet shqiptare, përse nuk ju kemi parë më pjesë të këtyre eventeve?

Artisti duhet të nuhasë se kur duhet të largohet apo qëndrojë në skenë. Kam qenë e pranishme në çdo festë të RTSH si e ftuar nderi apo Juri.
A ishte arti më cilësor para viteve 90?
Çdo kohë ka vlerat e veta. Kohët nuk janë për të përjashtuar njëratjetrën, por për ti shtuar vlerat. Secila kohë është një gur në themelet e artit shqiptar e që vit pas viti bëhet një mur i lartë. Po të përjashtonim kohët nga njëra-tjetra do të ishim pa të shkuar apo pa të ardhme.
Krahas muzikës e angazhuar dhe me punën tuaj pranë Drejtorisë së Burgjeve, çfarë të përbashkët ka puna juaj me muzikën, ku takohen këto dy punë?
Muzika, arti, luajnë një rol të madh në çdo zemër e gjendje shpirtërore. Muzika zbut shpirtrat, edhe ato të vrarat. Misioni im është shumë fisnik, sepse duke qenë artiste kam shumë për t’i dhënë kësaj shtrese të ndaluar. Gra të dhunuara, njerëz që kanë vrarë zemra nënash, lënë fëmijë jetim, marrë pasurinë e krijuar me djersë, marrë vitet e punës e të mundimit, nga ata që punuan një jetë të tërë. Rehabilitimi i tyre apo kthimi në jetën e përditshme, por me vlera, bëhet vetëm duke dhënë vlera, e duke rritur vetëvlerësimin nëpërmjet punës e artit.
Si janë sot femrat e burgosura, sa i shtyni ju ato drejt artit?
Stafi që punon në burgje ai civil me psikologë, sociolog etj, janë të gjithë të rinj, që punojnë me shumë pasion pasi sapo kanë ardhur nga bankat e shkollës. E gjithë kjo armatë rinore, vajza e djem të rinj kanë sjellë metoda e praktika të reja nga vetë profesionalizmi shkollor, janë të gjithë me master profesional. Terapia e artit ku unë bëj pjesë në bashkëpunim me shoqatat jo fitimprurëse, Drejtoritë Rajonale të Tiranës, Reanimatorët, SHKBSH etj, në ambientin e grave të burgosura, të miturve etj, kemi bërë të mundur kurse të ndryshme. Pikturë, kuzhinë, mekanik, hidraulik, rrobaqepësi, berber, parukeri, anglisht, italisht, kompjuter, të gjitha të njohura e të certifikuara nga Ministria e Punës dhe e Çështjeve Sociale. Vazhdimi i shkollës me dëftesa e mësues në bashkëpunime të njohura nga Ministria e Arsimit. Aktivitete të ndryshme artistike të përbashkëta me artistët më të mirë shqiptarë dhe i përshëndes për humanizmin e tyre për të dhënë koncerte në të gjithë burgjet e vendit. Panairi i kulinarisë tashmë traditë 5- vjeçare e grave të dënuara të burgut “Ali Demi” etj. Si thua kush mund t’i organizojë më shumë se një artiste me kolegët e saj të Sektorit të Çështjeve Sociale pranë DPBURGJE.
Kemi parë shpesh ekspozita me piktura dhe punime nga ana e të burgosurave, por a ka talente për muzikë mes tyre, ju i keni vënë re?

Gjatë punës sime prej 5 vitesh kam ngritur bashkë me stafin edukues të institucioneve grupin muzikor polifonik në Vlorë, atë folklorik me çifteli Lezhë. Me të miturit grupin teatror që jep shfaqje çdo vit në ditën e të Drejtave të Njeriut më 10 Dhjetor. Grupin e valles me vajzat e paraburgosura 313. Janë promovuar e botuar vëllime me poezi nga një i burgosur i përjetshëm Peqin, Vaqarr, dalë nga konkursi i përvitshëm me krijimtari letrare kryesisht poezi. Dy grupe repista në paraburgimin 302 etj. Si thua a është vend për një artiste. Sfida ime është të punoj ku është më e vështira, për të provuar veten, duke ja dalë më së miri. Si e shikoni sot femrën shqiptare, sa i gëzon të drejtat e saj?
Të gjitha të drejtat i kemi, pastaj varet se sa dimë ti mbajmë dhe ti vëmë në praktike. Sot të gjitha jemi më kërkuese për veten tonë. Kur jemi tek prindërit ata mundohen të na japin gjithçka që vlen për ngritjen si njeri e atë profesionale. Këtë ngritje e investim nuk duhet ta lëmë ta shkelë njeri me këmbë.
Si ishte kjo verë për ju, ku pushuat?
Shkova në Theth, por ishte shumë shtrenjtë e qëndrova shumë pak. U nisa drejt Pogradecit, u akomodova në një vilë në Starovë e rrethuar me lule nga më të ndryshmet vetëm trëndafila kishte 10 lloje, karafila e lule bore të gjitha ngjyrat. Gatimi nga e zonja e shtëpisë Bardha ishte bio, gjithçka nga kopshti, sa për klimën më shtoi e shëroi frymëmarrjen, Liqeni nuk më pëlqeu. Darka në Pogradec me muzikën tradicionale më ka kënaqur pasi ishte gjithçka shqip, pastër e shumë qytetari.
Çfarë bën Myfaretja kur mbyll ditën, si i kaloni mbrëmjet në familje?
Familja është streha që të fal gjithçka e i fal gjithçka. Ngado të shkosh e sado mirë ta kalosh shtëpia jote e oxhaku jot s’ka të paguar. Me muhabet, humor, pjesëzat më të bukura të ditës që thuhen kur shtrohet tavolina,etj, etj. Por edhe ndonjë hatër mbetje, por zot fali se nuk dinë se ç’ka bëjnë.
(ma.ar/summerpages/BalkanWeb)