.
×

Ndikimi i PDK-së në avancimin e referentes në UP



Botapress 17 Shtator – Drejtuesit e PDK-së po vazhdojnë parafushatën me gojën plotë për luftimin e korrupsionit dhe nepotizmit, por një gjë e tillë po rezulton krejt ndryshe në praktikë. Anëtarët e PDK-së po vazhdojnë të ndikojnë në avancimin dhe në punësimet e dyshimta nëpër institucionet vendore. Një rast i tillë i freskët është në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”

Merita Osmani – Rama, bashkëshortja e ish-kandidatit të PDK-së për asamblist në Komunën e Vushtrrisë, Fatos Rama, është avancuar në mënyrë të dyshimtë nga pozita e saj Zyrtare e shërbimit të studentëve në Fakultetin e Filologjisë në Ushtruese të detyrës së zyrtares për mësim.

Në fakt për këtë pozitë, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është duke shpallur konkurs për herë të dytë me radhë, teksa burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se pozita e zyrtarës për mësim është projektuar për Merita Osmani – Ramën e cila tashmë veç e ushtron këtë detyrë.

Merita Osmani – Rama është bashkëshorte e ish-kandidatit të PDK-së për asamblist në Vushtrri, Fatos Rama.

Ky i fundit ka lidhje të ngushta shoqërore me sekretarin e UP-së, Esat Kelmendin, të cilat vërehen edhe nga postimet në llogarinë e tij në Facebook.

Në tetor të vitit të kaluar Rama kishte publikuar një fotografi me sekretarin e UP-së, Esat Kelemendin.

Aty shihen të dy në një aheng familjar, ndërsa Rama e cilëson si mik sekretarin e UP-së.

 

Fotografia mes Esat Kelmendit dhe Fatos Ramës

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Fatos Ramën lidhur me avancimin e bashkëshortes së tij si dhe me lidhjet e tij me sekretarin e UP-së. Ai ka refuzuar të flas për lidhjet e tij me Esat Kelmendin, ndërsa informacionet për punësimin e bashkëshortes së tij i ka cilësuar si të gabuara.

“Informatat janë të gabuara. Ndërsa, raportet e mia me Esat Kelmendin nuk janë me rëndësi dhe nuk kam arsye të përgjigjem”, ka thënë shkurt Rama.

Gazeta ka tentuar të marr edhe një përgjigje nga Esat Kelemendi, sekretari i UP-së, por as pas disa ditë pritjeje, Kelmendi nuk ka kthyer përgjigje, ndërsa telefoni i tij ka qenë i paqasshëm për mediumin.

Konkursi i dyshimtë ku pritet të avancohet referentja

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka hapur dy herë të njëjtin konkurs me disa ndryshime të vogla çka ngritin dyshime për parregullsi në këtë proces.

Më 20 mars të këtij viti, Universiteti i Prishtinës kishte hapur konkurs për disa vende pune për pozitën zyrtare për mësim, ku ishin specifikuar edhe fakultetet e UP-së për plotësimin e këtyre pozitave. Por në konkursin e dytë ky element i rëndësishëm i njësive akademike nuk është përmendur fare.

“Zyrtar për mësim, një punonjës në Fakultetin e Arteve, një në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, një në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, dhe një në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sport”, thuhet në konkursin e parë të shpallur nga UP.

Më 1 korrik të këtij viti ky konkurs ishte anuluar për siç thuhej shkaqe procedurale.

“Universiteti i Prishtinës, njofton të gjithë kandidatët të cilët kanë aplikuar në konkursin nr 7.18, dt. 20.03.2019, për personel administrativ në Universitetin e Prishtinës, se i njëjti anulohet për shkaqe procedurale”, thuhet në njoftimin e UP-së për anulimin e këtij konkursi.

Megjithatë më 9 gusht UP ka shpallur përsëri të njëjtin konkurs për zyrtarë mësimor. Në konkursin e dytë nuk specifikohet kërkesa e UP-së se për në cilin fakultet UP ka nevojë.

“Zyrtar për mësim në njësi akademike (Katër punonjës)”, shkruan njoftimi i dytë i UP-së.

Në anën tjetër Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka filluar me para fushatë për zgjedhjet e 6 tetorit që nga shpërbërja e Kuvendit të Kosovës, ku vendi edhe zyrtarisht kishte filluar numrimin e ditëve për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Kadri Veseli, kryetari i PDK-së si dhe anëtarët e tjerë të kësaj partie politike janë duke zhvilluar fushatë parazgjedhore duke u zotuar se do të luftojnë korrupsionin dhe nepotizmin.

Veseli në një konferencë për media kishte ftuar të gjitha partitë politike që ta nënshkruajnë një marrëveshje për luftimin e korrupsionit, por që ishte refuzuar nga liderët e partive politike. Në arsyetimin e disa prej kryetarëve të partive politike në vend kishin thënë se partia që e kultivoi korrupsionin nuk mundet që ta luftojë atë./Gazeta Sinjali/