.
×

Në Klinë, krijues e nxënës bashkuan zërat me poetët nga mbarë bota



Prend Buzhala – Aktiviteti letrar – kulturor mbarëbotëror “100 mijë poetë për ndryshim”, mblodhi në Klinë krijues të letërsisë për fëmijë, nxënës dhe arsimtarë, të cilët bashkuan zërat me poetët nga mbarë bota për një botë më të mirë, më paqësore dhe më humaniste. Ceremonia u organizua nga Lidhja e Poetëve dhe Shkrimtarëve “Pegas” dega në Klinë, në mbështetje nga Drejtoria e Kulturës në KK Klinë.

Manifestimi tradicional i përhapur në mbarë botën, që mbahet çdokund me të njëjtën moto dhe në të njëjtën datë, sivjet iu kushtua fëmijëve. Gjithçka erdhi në emër të mirëkuptimit për paqe dhe për artin poetik të virgjër të krijuesve të vegjël. Biblioteka “Kongresi i Manastirit” në ambientet e Qendrës së Kulturës “Jehona e Dukagjinit” u bë epiqendër e dhjetëra e dhjetëra shkollarësh, të cilët fillimisht kundruan ekspozitën e arteve figurative të nxënësve të shkollës “Ismet Rraci” nën drejtimin e piktores Sanije T. Dreshaj – Zenunaj. Mes shumë motiveve të pikturave mbizotëronin ato të natyrës, portretet, motivet kombëtare e tradicionale etj.

Mandej aktiviteti vazhdoi me ceremoninë e propovimit dhe të orës letrare. Me një minutë heshtje u nderua shkrimtari i shquar për fëmijë Rexhep Hoxha, i cili u nda prej nesh para dy muajsh.
Duke hapur zyrtarisht manifestimin, poeti dhe piktori Idriz Berisha vuri në dukje se për fëmijët nuk është asnjëherë e tepërt të shkruar e të pikturosh, pasi ata janë një frymëzim i përhershëm e i pashtershëm. Në emër të motos së madhe “100 mijë poetë për ndryshim”, shkrimtarja Migena Arllati, e cila vendosi që sivjet këtë aktivitet ta sillte në Klinë, bëri të ditur se bota do ta ishte më e mirë nëse nuk do të kishte diskriminim mes gjinive, mes racave, mes kombeve, mes lokaliteteve të një vendi… “Ju fëmijët e bëni këtë botë shumë të bukur ndaj ne krijuesit duhet të shkruajmë sa më shumë për ju pasi ju na e zbukuroni jetën, ju na e zbukuroni artin”, tha Arllati para fëmijëve shkollarë të Klinës.

Ismet Krasniqi, autor i shumë librave për fëmijë, enkas për këtë aktivitet kishte nxjerrë nga shtypi botimin e ri me titull “Ylber mbi kala”. Krasniqi tha se mes krijimeve të tij të shumta, më të dashurat i ndjen ato kushtuar të vegjëlve. Për librin foli studiuesi Prend Buzhala i cili vuri në dukje vlerat e autorit. Ai e çmoi autorin Krasniqi si njeri dhe poet shumë të dashur nga fëmijët, dhe kjo është një vlerë që jo të gjithë krijuesit e kanë.

Duke folur për librin e ri të Krasniqit, Migena Arllati shtoi se autori di të gjejë gjuhën e ëmbël ndaj të vegjëlve pasi ai ka një shpirt të pastër dhe të çiltër si vet fëmijët.

Më tej aktiviteti vijoi me orën letrare ku lexuan poetë nga Prishtina, Drenica, Gjakova, Istogu e Klina: Nebih Bunjaku, Halil Xani, Imer Gllareva, Isa Maloku, Hysen Ymeri, Fazli Ferati, Prend Buzhala e Ismet Krasniqi. Të gjithë nxënësve të talentuar në shkrime, të pranishëm në aktivitet, iu dha mundësia të recitojnë krijimet e tyre. Recitimet e nxënësve të shkollave fillore të Klinës: Klinë, Zllakuqan, Cerovik e Ujëmirë u pritën me entuziazëm nga bashkëmoshatarët e tyre, si dhe mësimdhënësit që i kanë ndihmuar deri këtu. Duartrokitje mori edhe  nxënësja Valëza Gashi e cila ekzekutoi në kitarë.

Për organizatorët dhe recituesit më të mirë, drejtuesja Migena Arllati e LNPSHA “Pegasi Albania – Kosova”, ndau Mirënjohje me logon e aktivitetit ndërkombëtar: “100 thousand poets for change” – Read a poem to a child!