.
×

Nipi ia dha dajës nga Skenderaj 3 mijë euro – u bë brenda natës veteran i UÇK-së



Botapress 20 Qeshor- B.D. nga Klina deklaron se ia ka dhënë 3 mijë euro dajës së tij SH.H nga Skenderaj, për ta siguruar statusin e veteranit të UÇK-së. Me dokumente të falsifikuara B.D ka marrë për disa muaj rresht pagën e veteranit prej 170 euro në muaj si dhe beneficione tjera që shteti ua mundëson kësaj kategorie të shoqërisë. Që të dy tani akuzohen për vepra penale. Gazeta Express ka siguruar aktakuzën dhe sjellë hollësi për rastin.

B.D. u bë brenda natës veteran i UÇK-së. Dokumentet që “dëshmonin” se kishte luftuar në luftë, i mori ditën e nesërme, për të cilat paraprakisht pagoi 3 mijë euro e bashkë me to e dorëzoi edhe një kopje të letërnjoftimit. Këtë pazar e bëri te Stacioni i Autobusëve në Skenderaj, në prani të dajës së tij SH.H dhe dy personave tjerë Z.Sh dhe V.H  që i falsifikuan këto dokumente.

B.D deklaron se daja i tij Sh.H fillimisht ia kishte kërkuar 3.700 euro për ta bërë veteran. Nipi kishte negociuar gjatë me dajën për ta ulur pazarin. B.D shprehet “mezi e ka zbritë në 3.000 euro duke më thënë se qeveria po i lyp kaq dhe unë e kam njeriun tim”… Kjo deklaratë është e shkruar në aktakuzën që Prokuroria Themelore e Pejës e ka ngritur ndaj tij dhe dhjetëra veteranëve tjerë të rrejshëm.

B.D. e pranon se me dokumente false ka marrë nga shteti gjithsej 1.360 euro, deri në momentin kur iu ndal pensioni. Ai i kishte kërkuar dajës t’ia kthente 3 mijë euro për shkak të ndaljes së pagës, megjithatë i kishte marrë vetëm 1 mijë euro nga ai sepse Sh.H i kishte thënë se pjesa tjetër i zbritet prej shumës që i ka marrë nga shteti.

Në një moment, B.D thekson se e ndjen vetën fajtor për marrjen e statusit të veteranit në mënyrë ilegale.

“Unë e ndjej vetën fajtor që kam aplikuar dhe i kam siguruar dokumentet me të holla, edhe pse më kanë paralajmëruar njerëzit se mund të jenë fals, andaj më vijë keq për këto veprime”, deklaron ai.

Më tej, në akakuzë shkruan se SH.H i ka ndihmuar B.D që të bëhet veteran për shkak të lidhjes familjare që e kanë.

“Unë e di se i njejti ka kërkuar që t’i ndihmoj si nip, ku edhe e ka nxjerrë një zarf me 3 mijë euro dhe mi ka dhënë. Aty ishte edhe Z.SH së bashku me V.H që të dy nga Skenderaj…Unë e kam marrë zarfin dhe ja kam lënë atyre në tavolinë”, deklaron SH.H.

“Qe ku i ke 3.000 euro, letërnjoftimin fotokopje dhe ky person po don me hy veteran….Jam kthy te B.D i kam thënë, u kry kjo punë”, e pranon SH.H.

Në aktakuzën që Gazeta Express ka siguruar B.D ngarkohet për veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme”, ndërsa SH.H për veprën penale “Ndihma” dhe “Legalizim i përmbajtjes së rreme”. Të dyve Gazeta qëllimshëm nuk ua publikon emrin dhe mbiemrin e plotë.

Për veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme”, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, B.D mund të dënohet prej 3 muaj deri në 5 vite burgim.

Ndërsa, SH.H është i ngarkuar edhe me veprën tjetër penale “Ndihma”. Për këtë vepër parashihet dënim më i butë.

Në shtator të vitit të kaluar Prokuroria Speciale ka nxjerr 20 mijë emra nga listat e veteranëve, për të cilët theksohet se janë veteranë mashtrues apo të rrejshëm. Megjithatë në këto lista pati edhe emra të vetëranëve të vërtetë për të cilët dihet publikisht se kanë luftuar.

Prokurori special i dorëhequr, Elez Blakaj, ka thënë se arsyet e dorëheqjes së tij janë pikërisht për shkak të hetimit ndaj veteranëve të rrejshëm. Ai ka thënë se është kërcënuar.

Përveç Prokurorisë Speciale disa raste të fryrjes së listave të veteranëve janë shpërndarë edhe në Prokurori Themelore të Kosovës.

Në maj të këtij viti Prokuroria e Pejës ka ngritur gjithsej 20 aktakuza, kundër 21 personave që janë hetuar lidhur me dosjet e veteranëve të rrejshëm. Këta persona janë duke u akuzuar për legalizim të përmbajtjes së rreme. Burime brenda Gjykatës së Pejës thanë se numri i aktakuzave që kanë pranuar nga Prokuroria e Pejës tashmë është dyfishuar.