[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Një 1-vjeçar në mesin 17 të infektuarve në Malishevë, Kryetari jep një shpjegim pse kjo komunë ka shumë raste



17 raste të reja me koronavirus janë konfirmuar vetëm mbrëmë në Komunën e Malishevës. Në mesin e qytetarëve që ka rezultuar pozitiv nga kjo komunë është edhe një 1-vjeçar. Sor pritet të bëhet testimi edhe i tetë personave që kanë qenë në kontakt me të infektuarit. Aktualisht, në këtë komunë janë të konfirmuara 61 raste.

Për gjendjen atje është deklaruar Kryetari i Komunës, Ragip Begaj.

Në një prononcim për Gazetën Express, Begaj ka thënë se sot Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik pritet që të vijë dhe t’i marr mostrat e tetë personave, të cilët kanë pasur kontakt me të infektuarit.

Begaj ka folur edhe për moshën e personave që kanë rezultuar pozitiv mbrëmë. Sipas tij, personi më i ri i infektuar është një 1-vjeçar, derisa më i vjetri 67-vjeçar.

“Gjendja është e mirë. Mbrëmë kanë qenë 17 raste. Kemi me vit të lindjes 2000, 2002, 2008, 2017, 2019, 1953. Sot Instituti Kombëtrar i Shëndetit Publik pritet të vijë që t’i marr mostrat edhe të tetë personave, që kanë qenë pas kontakt me të infektuarit. Aktualisht i kemi 61 raste në gjithë komunës, ku prej këtyre shtatë janë të shëruar”, ka thënë Begaj.

Ai ka njoftuar se dje janë furnizuar me pajisje mbrojtëse, por se këto iu mjaftojnë vetëm për një javë.

“Jemi furnizu dje me pajisje mbrojtëse. Këto pajisje na mjaftojnë vetëm për një javë, te shohim pastaj a do të kemi furnizime sërish. Te ne ka qenë problem, se pothuajse s’ka familje në Malishevë që nuk e ka një anëtar në Itali dhe kjo ka ndiku në kaq shumë raste”, ka thënë Begaj për Express.

Ndryshe, mbrëmë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se janë konfirmuar edhe 20 raste të reja me koronavirus. Me këto shifra, numri i të infektuarve në gjithë vendin shkon në 165. Deri tani, nga koronavirusi janë shëruar 24 persona.

“Sot më 06.04.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 129 mostra të marra nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive dhe nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, njëzet (20) prej tyre kanë rezultuar pozitive”, thuhet në njoftim.

Sipas IKSHP’së, rastet pozitive janë raste kontakti nga Malisheva, Suhareka, Drenasi dhe Prishtina.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, pesëmbëdhjetë (15) prej të cilave janë me vendbanim në Banjë -Malishevë, dy (2 ) me vendbanim në Malishevë, një (1) me vendbanim në Bllace-Suharekë, një (1) me vendbanim në Drenas dhe një (1) me vendbanim në Prishtinë”, ka njoftuar IKSHP’ja.

Menu Title