[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Pal Shtufi: E diela e luleve



(Tregim në vetën e parë)
Është festë pranverore, sigurisht me rrënjë pagane, që i paraprin festës së Pashkëve. Jam rritur dhe edukuar me këtë festë lulesh si shumë bashkëkohës të mi. Nana ime, të cilën mbarë rrethi im e thërrisnin Nanë, që në mëngjes na jepte detyrë të dilnim në fusha e livadhe dhe të mblidhnim lulet më të bukura të stinës. “Dilni e mblidhni lule për ne e për Krishtin! Ai sot asht i pranishëm n’shpijat tona, me paqen dhe bekimin e Tij”. Ne fëmijët këtë porosi të Nanës e dëgjonim çdo vit në prag të festës së Pashkëve. Edhe sot është kujtesë emocionale.
Të entuziazmuar dhe të motivuar maksimalisht, me motrën time, Marinë dhe me vëllanë e vogël, Bitrin, dilnim të mblidhnim lule. Lugina ku përfundon Rrafshi i Dukagjinit ishte e begatë me lule dhe blerim të pafund. Fshati ndërkaq kishte një lumë, dy përroska që kurrë nuk shteronin dhe dy kroje me ujë kristal. Ultësirat përreth krojeve, në fakt ishin dy moçale të vogla ku pothuajse nuk hynte këmbë njeriu. Pra, lumi, dy përroskat dhe dy krojet tërë rrethit i jepnin një freski dhe pamje të jashtëzakonshme veshur me blerim.
Ai blerim mbresëlënës vazhdon të jetojë ende në kujtesën e brezit tim.
Pra, siç thashë, ne kryenim detyrën e Nanës me shumë dashuri dhe gëzim. Natyrisht, në këtë rrafshinë të blertë, edhe mundësia e përzgjedhjes së luleve ishte e bollshme. Sapo i sillnim në shtëpi fillonte seleksionimi. Ato më të bukurat i ndanim për t’ i marrë me vete në kishë, për t’i bekuar me fjalët më paqësore nga ungjilli. Atje, në kishë, mbase si kudo në botë, fillonte «gara» mes fëmijëve se kush i kishte lulet më të bukura. Motra, vëllai i vogël dhe unë qëndronim mirë në atë garë të bukur. Ndërsa prisnim një gjykim të drejtë nga motrat e kishës se kush i kishte lulet më të bukura, ato gjithmonë na thoshin: «Luleve nuk u matet bukuria. Ato janë sikur ju, të gjitha të bukura».
Rrugës derisa ktheheshim në shtëpi kujdeseshim që lulet, tanimë të bekuara, ta ruanin freskinë e tyre natyrore. Sa hynim në shtëpi na priste përqafimi i Nanës dhe fjalët më të përzgjedhura për ne: «Dritat e syve të mi…» E ne, si gjithë fëmijët, pa pushuar fare fillonim zbukurimin e dhomave, të cilat ati ynë i kishte lyer me gëlqere dy-tre ditë më herët. Shtëpitë tona kështu të lulëzuara rrinin tërë javën, deri të Dielën e Pashkëve. Bukurinë e shoqëronte edhe aroma e gëlqeres, një ndjesi e veçantë pastërtie dhe rindriçimi.
E Diela e Luleve për ne fëmijët ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme dhe ka ndikuar shumë në formimin tonë, duke mbjellë dashuri e shpresë në zemrat tona, duke na joshur njëkohësisht në garën e bukurisë. Një garë që doemos ndikonte edhe në formimin dhe edukimin tonë estetik në përgjithësi. Edhe sot kur komunikoj me lulet pikërisht aty gjej gjurmët e kësaj kohe…
E po, kujtesa është pjesë e madhështisë së jetës.
Sa herë afrohet kjo festë e kujtoj edhe Nanën time më dendur se në çdo kohë tjetër. Kam shumë arsye. Njësoj si ti, miku im, që sot m’i lexon këta rreshta.
*Sipas të dhënave biblike, kjo festë shënon ditën kur Krishti hyri në Jerusalem dhe u prit me lule dhe brohoritje. Natyrisht, pas kësaj euforie, siç tregojnë rrëfimet biblike, vjen burgosja dhe kryqëzimi i tij.
(ripost)

Menu Title