.
×

Parku i Gërmisë me dy shtigje edhe 30 tabela të reja informimi



Parkut të Gërmisë në Komunën e Prishtinës, po i shtohen edhe dy shtigje edukative për shëtitje, tre kioska dhe tridhjetë tabela informative mbi florën dhe faunën e këtij parku.

Kjo u bë e ditur nga vet kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, i cili me anë të një postimi në Facebook njoftoi për zbatimin e këtij plani të organizuar me disa partnerë të tyre.

“Jami lumtur që Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me WWF dhe partnerë të tjerë është duke e implementuar për shenjëzimin e dy shtigjeve edukative në Parkun Gërmia. Tre kioska dhe tridhjetë tabela me informacione mbi florën dhe faunën në peizazhin e mbrojtur të Gërmisë do të jenë një arsye më shumë, kryesisht për fëmijët për të vizituar Gërminë dhe për të përjetuar bukuritë mahnitëse të parkut. Në të njejtën kohë do të mund të mësojnë edhe shumë të dhëna mbi parkun, të gjitha të përshtatura me kurrikulën aktuale arsimore”, ka shkruar ai në Facebook.

Ahmeti më tej shton se njëri nga këto dy shtigje do të jetë i gjatë afro 4 kilometra, ndërsa tjetri rreth 9 kilometra i gjatë.

“Shtegu i breshkës për ‘dembelët’ prej afërsisht 4 kilometrave dhe ai i arinjve për më guximtarët prej 8.8 kilometrave e bëjnë shëtitjen në Gërmi edhe më të këndshme”, ka përfunduar ai.

Së fundmi kësaj komune është bërë me kënde të reja të lojërave dhe fushave sportive në lagje të ndryshme të qytetit./metro