[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Partitë akuzohen se po e politizojnë gjendjen me koronavirus nëpër komuna



Koalicioni i Organizatave Joqeveritare në Kosovë ka shprehur shqetësimin rreth asaj që e ka quajtur tendencë të partive politike për politizimin e situatës nëpër komuna, në kohën e pandemisë së koronavirusit.

“Shqetësim tjetër paraqet edhe tendenca e partive politike për politizimin e situatës për qëllime politike, sidomos në ato komuna të cilat udhëhiqen nga partitë e tyre respektive”, shkruan në njoftimin për medie të koalicionit.

Ky koalicion, i përbërë nga disa prej OJQ-ve në Kosovë ka bërë thirrje të martën që partitë të “mënjanojnë deklaratat politike të cilat nuk përkojnë me autonominë e institucioneve lokale dhe njëkohësisht të ofrojnë ndihmën e tyre përmes institucioneve lokale dhe mekanizmave shtesë të themeluara pas situatës emergjente shëndetësore në nivel vendi”.

“Në kohën e krizës globale të shkaktuar nga pandemia COVID-19, të gjitha institucionet publike janë mobilizuar në zbatimin e masave parandaluese kundrejt eskalimit të situatës. COVID-19 ka prekur shumë komuna të Kosovës. Deri më tani, në 22 nga 38 komunat e Kosovës janë konfirmuar raste me COVID19. Ndërkaq komuna më e prekur mbetet ajo e Malishevës me gjithsej 62 raste”, shkruan në njoftimin për medie të koalicionit.

Ky koalicion ka bërë të ditur se është duke e monitoruar gjendjen.

“Deri më tani shumica e komunave të Kosovës kanë ndarë buxhet përafërsisht dy milion euro për tu përballur me këtë situatë. Ndërsa komuna e Prishtinës, Gjilanit, Kamenicës, dhe komuna tjera janë duke shfrytëzuar buxhetin kornizë për këto raste”, shkruan në njoftim.
Për këtë koalicion, “shqetësues mbetet fakti i mosrespektimit të masave parandaluese për tubimet e qytetarëve nëpër hapësira të caktuara publike ose private, sidomos në zonat rurale, ku vihet në shprehje takimet dhe vizitat familjare. Këto veprime të papërgjegjshme të qytetarëve bien në kundërshtim me udhëzimet e institucioneve shëndetësore dhe masave të ndërmarra nga institucionet relevante në kohën e emergjencës shëndetësore”. Rrjedhimisht, sipas njoftimit, “komunat duhet të ndërmarrin veprime konkrete në informimin e qytetarëve se veprimet dhe sjelljet e tilla përbëjnë rrezik për përhapjen e virusit tek qytetarët përmes kontaktit dhe se veprimet e tilla janë të ndëshkueshme”.

Menu Title