[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Për dhe kundër nisjes së ndërtimit të rrugës, Deçan-Plavë    



 

adem                                                                                                  Shkruan: mr. Adem Lushaj

 

Nisja e punimeve në ndërtimin e rrugës, Deçan-Plavë, është përcjell me lëvdata dhe kritika nga më të ndryshmet. Në njërën anë përshëndetet puna e nisur për ndërtimin e kësaj rruge që paraqet arterie të fuqishme të zhvillimit, jo vetëm për Deçanin, ndërsa, në anën tjetër nisja e punimeve të bëra në fshatin Lloqan, është përcjell me kritika për shkak të “ndërrimit të trasesë” nga ndikimet që kishte politika, ku bazë e gjithave është manastiri i Deçanit. Edhe njëra palë, edhe tjetra kanë arsyet e veta dhe këto janë reale. Përderisa, nisja e punimeve konsiderohet si një sukses i madh dhe ndër investimet me kapitale që mund të jenë, investime këto të premtuara vazhdimisht, edhe nëpër fushata zgjedhore. Sipas ekspertëve të ekonomisë, ndër faktorët më të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik rajonal, por edhe atij të përgjithshëm, është edhe komunikacioni, qoftë tokësor, ujor apo ajror. Ekonomisti francez, Fransua Perru (Francois Perroux), ka shprehur mendimin e tij se zhvillimi ekonomik i një vendi, realizohet edhe përmes poleve dhe boshteve të zhvillimit dhe integrimit të tyre në përmasa nacionale dhe rajonale. Ndaj, bazuar në gjitha konditat, apo parakushtet ekonomike, “Gryka e Deçanit”, këtë rast edhe rruga që lidh Deçanin me Plavën, paraqet një bosht të zhvillimit ekonomik, jo vetëm të Komunës së Deçanit dhe Kosovës, por edhe të zhvillimit dhe integrimit rajonal, Kosovë, Mali i Zi dhe Shqipëri.

Përmes kësaj rruge, do krijohen mundësi të shumta për:

  • Zhvillimin e turizmit veror, dimëror, transit turizmit dhe llojet tjera të aktiviteteve turistike, sepse, relieve i Bjeshkëve të Nemuna, ofron gjitha parakushtet për zhvillimin e tyre, sidomos Bjeshka e Belegut, që njihet për kushtet që ofron për stazat e skitarisë dhe kohëzgjatjen e qëndrimit të borës, mbi sipërfaqen e tokës.
  • Shfrytëzimin e resurseve natyrore, qofshin nën apo mbi tokësore, kur dihet se Deçani është mjaft i pasur për nga pasuritë nëntokësore dhe mbitokësore. Më duhet këtu të përmend gurin e mermertë “Breça”, pastaj xehen e mineralit “TALK-u”, ujin mineral, gurin gëlqeror, zhavorrin, etj.

Po ashtu, ndërtimi i rrugës Deçan-Plavë, ka rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare, sepse lidh trojet shqiptare. Pra, Kosovën e lidh edhe shtetet fqinjë, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Edhe një fakt duhet potencuar se, ndërtimi i kësaj rruge, do shkurton dukshëm gjatësinë e rrugës për Ulqin, e cila mund të shfrytëzohet edhe nga shtetet fqinjë, Maqedonia dhe Serbia.

Mirëpo, edhe ata që nuk pajtohen me trasenë e kësaj rruge, kanë arsye të plotë, pasi që nga përvoja e kaluar, institucionet e vendit, qofshin lokale apo qendrore, kanë hjek dorë nga shfrytëzimi i resurseve që kemi, si rrjedhojë e ndikimit politik, gjë që vazhdimisht është reflektuar me reagime nga më të ndryshmet, qoftë edhe me protesta. Këto resurse zhvillimore, janë bërë peng i politikës dhe ndikimit fetar, qoftë nga Beogradi apo edhe vet personeli i Manastirit të Deçanit. Njëra ndër veprimtarit zhvillimore dhe më produktivet e kësaj komune, është hoteleria, pasi që Deçani disponon me dy objekte gjigante, kompleksin hotelier, “Pishat e Deçanit” dhe atë “Iliria, ku e para është e okupuar nga KFOR-i italian, ndërsa e dyta, me memorandumin e ofruar nga Ambasada gjermane, parashihet të rrënohet tërësisht. Këto dy objekte hoteliere, sikurse në të kaluarën, edhe tash do mundësonin një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, përkatësisht të turizmit, ku qytetarët do joshnin bukuritë që ofrojnë bjeshkët e kësaj komune, gjë që ua kanë lakmi shumë qytete dhe vende të këtij rajoni ballkanik. Qytetarët që reagojnë kanë edhe një arsye shtesë, sepse fabrika për grumbullimin dhe përpunimin e mjaltit APIKO, që dikur ishte fabrika me profitabile, jo veç në Kosovë, tashmë është shndërruar në gërmadha dhe trajtohet si pronë e manastirit.

Ndaj, nisja e punimeve të kësaj rruge (do zoti dhe bëhet realitet), është për tu përshëndetur, pavarësisht kahun që do shkon, por edhe duhet marrë me rezervë pasi që ndikimet politike mund të kenë efekte negative dhe krijojnë një pa dëgjueshmëri qytetare, e cila do zgjat me vite, gjë që nuk i duhet as institucioneve të vendit, as atyre ndërkombëtare, por as vet manastirit.

 

Menu Title