.
×

Përfaqësuesit e Listës Serbe në seancën e Kuvendit të Serbisë për Kosovën



Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të paraqesë të hënën para Parlamentit serb një raport për Kosovën. Kjo është hera e parë që Vuçiq prezanton për votim një raport për Kosovën. Në seancë do të marrë pjesë edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ndonëse aty nuk do të jenë të pranishëm një pjesë e deputetëve të opozitës, të cilët e bojkotojnë punën e parlamentit. Ata kanë theksuar se seanca për Kosovën është edhe një “mashtrim tjetër” i qeverisë aktuale. Mediet serbe njoftojnë se në këtë seancë pritet të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Listës Serbe, parti parlamentare në Kosovë. Diskutimet për Kosovën në Kuvendin e Serbisë mund të zgjasin dy ditë dhe në fund deputetët do të votojnë për miratimin e raportit. Raporti ka 101 faqe, prej të cilave 82 faqe përmbledhin “rezultatet më të rëndësishme” të së ashtuquajturës, Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. “Procesi i negociatave dhe zbatimi i marrëveshjeve në thelb nuk janë në interes të Prishtinës dhe prandaj ajo po përpiqet t’i shkatërrojë plotësisht ato”, thuhet në raportin e kësaj Zyre. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel ka nisur më 2011, transmeton rel. Aktualisht ky proces është bllokuar pasi, presidenti serb, Vuçiq ka përmendur taksën prej 100, që, Qeveria e Kosovës ka vendosur në importet e Serbisë, si arsyetim për mosvazhdim të dialogut. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në anën tjetër ka thënë se kjo masë do të vazhdojë së aplikuari derisa Serbia të njohë shtetësinë e Kosovës. Heqjen e kësaj tarife e kanë kërkuar edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.