[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Policia e shpalli në kërkim për mashtrim në votime, reagon Astrit Rexhaj



Policia e Kosovës sot ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për arrestimin e një të dyshuari për mashtrim në votime. Bëhet fjalë për 35-vjeçarin nga Tërmoci i Istogut, Astrit Rexhaj. Por, pas publikimit të lajmit nëpër media, ka reaguar ky i fundit.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Rexhaj ka thënë se ai nuk ka mashtruar në votime, por se dikush ia ka lënë fajin vetëm pse ishte student.

Sipas tij, rasti ka ndodhur në vitin 2010, ndërkohë që tash punon në një spital në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai deklaron se ishte angazhuar në zgjedhje, meqenëse ishte student dhe se kishte nevojë për një pagë.

“Faleminderit gjykatë e polici që publikoni diçka që kamë pas avokat për atë rast që ka ndodh vitin 2010 kur unë isha student dhe si student kisha vullnet me kontribu një proces zgjedhor e demokratik e si student qe kisha nevojë për një pagë ditore dhe si i tillë nuk e kam pranu asnjë here një rast të tillë”, ka shkruar ai.

Ndryshe, përmes një komunikate drejtuar mediave, Policia ka njoftuar se ka siguruar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Pejë për publikimin e fotos me shënime tjera të personit të kërkuar, me qëllim lokalizimin dhe rrjedhimisht arrestimin e tij

“Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor”, thuhet në komunikatë.

Menu Title