.
×

Procesi i rinumërimit mund të zgjasë deri të hënën



Botapress 19 Nëntor – Nga 1407 vendvotime, për të cilat Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte marrë vendim të numërohen edhe një herë, në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve është numëruar gati gjysma e vendvotimeve.

Me këto rinumërime nuk pritet të ketë ndryshim rezultati te katër subjektet e para politike, përveç te koalicioni Nisma – AKR – PD, i cili aktualisht është vetëm 21 vota mbi pragun zgjedhor, shkruan sot gazeta Zëri

I pyetur se kur pritet të përfundojë ky proces, Elezi ka theksuar se nuk mund ta dinë saktë se kur përfundon rinumërimi.

“Nëse shohim dinamikën e rinumërimit gatë këtyre 5-6 ditëve, e cila është rreth 130 vendvotime brenda dy ndërrimeve, atëherë besojmë se deri të hënën tjetër mund të përmbyllim ky rinumërim”, ka thënë Elezi.

Ka gati një javë prejse Qendra e Numërimit dhe e Rezultateve e ka nisur rinumërimin e 1407 vendvotimeve me vendim të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Deri të dielën në këtë qendër janë numëruar 573 vendvotime, përderisa gjatë ditës së djeshme në proces të rinumërimit kanë qenë më shumë se 66 vendvotime. Kësisoj, nga 1407 vendvotime deri dje në orën 16:00 në QNR janë numëruar 639 vendvotime. Kështu ka bërë të ditur për “Zërin” zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. “Procesi i rinumërimit është duke vazhduar në QNR dhe deri në orën 16:00 të ditës së sotme janë rinumëruar 66 vendvotime të tjera. Numri i përgjithshëm i vendvotimeve të rinumëruara deri më tani është 639, nga 1407”, ka thënë Elezi.