[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Prokuroria kërkon paraburgim ndaj 30 personave të arrestuar gjatë aksionit në Karaçevë



Botapress, 19 Shtator – Paraburgim prej 30 ditësh ka kërkuar Prokuroria e Gjilanit ndaj tridhjetë personave të arrestuar dje gjatë aksionit kundër krimit dhe korrupsionit në Karaçevë të Kamenicës.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, ju njofton se nga prokurorja e rastit, Rozelida Manastiri është paraqitur kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, në Gjykatën kompetente në Gjilan, ndaj tridhjetë (30) personave të dyshuar, të cilët janë ndaluar gjatë aksionit të realizuar mbrëmë në fshatin Karaçevë, komuna e Kamenicës”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan.
“Sipas kërkesës, i dyshuari F.L., në fshatin Karaçevë, komuna e Kamenicës, në cilësi të zyrtarit policor, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, në mënyrë të vazhdueshme ka ndihmuar, fshehur dhe nuk ka penguar kryerjen e veprës penale nga ana e të dyshuarve të tjerë, të cilët duke kaluar vijën kufitare kanë shmangur kontrollin doganor, përmes rrugëve ilegale dhe kanë bërë kontrabandimin e mallrave të ndryshme. Po ashtu, i njëjti, në lokalin e tij në të njëjtin vend, në vazhdimësi ka organizuar lojërat e fatit, të cilat janë të ndaluara me ligj”, thekson komunikata.
“Në këtë mënyrë dyshohet se i dyshuari F.L., ka kryer veprat penale ‘’Kontrabandimi me mallra’’ dhe ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, bën të ditur Prokuroria Themelore e Gjilanit.
“Të dyshuarit H.K., S.K., I.S., F.K., A.K., F.Z., R.TH., S.G., S.N., S.M. dhe Z.A., në cilësinë e zyrtarëve policorë, në mënyrë të vazhdueshme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror kanë ndihmuar, lehtësuar, fshehur dhe nuk kanë penguar kryerjen e veprës penale nga ana e të dyshuarve tjerë, të cilët kanë shmangur kontrollin doganor, përmes rrugëve ilegale dhe kanë bërë kontrabandimin e mallrave të ndryshme”, thuhet në komunikatë.
“Me këto veprime, të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘’Kontrabandimi me mallra’’, të KPRK-së”, thekson prokuroria.
Më tej thuhet se “të pandehurit D.S., F.S., N.K., S.D., E.K., A.S., B.S., A.TH., SH.S., F.S., B.S., F.S., V.S. dhe A.S., dyshohet se kanë kryer veprat penale ‘’Kontrabandimi me mallra’’, pasi në bashkëpunim mes vete dhe zyrtarët e dyshuar policorë, në mënyrë të vazhdueshme kanë shmangur kontrollin doganor dhe përmes rrugëve ilegale kanë bërë kontrabandimin me mallra”.
“Ndërsa, të pandehurit Y.F., RR.G., N.Ç. dhe L.G., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë bërë organizimin e lojëra të fatit, të cilat janë të ndaluara me ligj, ku me këto veprime të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’, të KPRK-së”, bën të ditur Prokuroria Themelore e Gjilanit.
Seanca për caktimin e masës së paraburgimit pritet që të mbahet nesër, para gjyqtarit të procedurës paraprake, thuhet në fund të komunikatës.

Menu Title