.
×

Protesta në Algjeri, kërkohet largimi i ushtrisë nga politika



Dhjetëra mijëra algjerianë kanë protestuar të premten kundër pranisë së ushtrisë në politikë, korrupsionit dhe lirimin nga burgu të liderëve opozitarë. Ata gjithashtu kërkuan që figurat e elitës politike të largohen nga pushteti i gjatë.

Protestat në kryeqytet dhe në disa qytete të tjera erdhën pas thirrjes së një kleriku të pavarur që të marrin pjesë në zgjedhjet e dhjetorit, të cilat janë mbështetur nga ushtria, por janë kundërshtuar nga lëvizja e protestuesve.

Ushtria tash për tash është faktori kryesor politik në Algjeri. Zyrtarët ushtarakë besojnë se zgjedhjet e dhjetorit janë e vetmja mënyrë për t’i ndalur protestat dhe për t’i dhënë fund krizës kushtetuese, e cila është krijuar nga largimi i ish-presidentit Bouteflika në prill të këtij viti.

Protestuesit po e kundërshtojnë mbajtjen e zgjedhjeve duke thënë se ato nuk do të jenë të lira dhe të drejta përderisa aleatët e ish-presidentit dhe liderët ushtarakë mbajnë pozita të larta në qeveri.

Algjeria u fut në krizë në shkurt të këtij viti kur shpërthyen protesta masive kundër ish-presidentit Bouteflika, i cili dëshironte të garonte për mandatin e pestë në zgjedhjet e planifikuara për muajin korrik.

Sidoqoftë, ai dha dorëheqje më 2 prill dhe data e zgjedhjeve u ndryshua. Që nga ajo kohë, autoritetet i kanë arrestuar disa aleatë të tij për korrupsion, por gjithashtu e kanë shtuar numrin e policëve në protesta, shkruan “France24”,