.
×

Pse shqiptarëve në Luginë të Preshevës i ndalohet përdorimi i flamurit kombëtar?



Dita e flamurit 28 Nëntori, shqiptarët e Luginës së Preshevës i gjen me çështjen e pazgjidhur të përdorimit të lirshëm të simboleve kombëtare nëpër institucione të ndryshme shtetërore komunale. Ligji për këshillat kombëtare në Serbi në kompetencat e përgjithshme i jep të drejta Këshillit Kombëtar të përcaktojë propozimet e simboleve kombëtare, shenjave dhe festave të pakicës kombëtare.

Mirëpo këtë ia mohon Ligji për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave kombëtare në Serbi, i cili në nenin 16 thotë se “simboli kombëtar dhe shenjat nuk mund të jenë identike me simbolin dhe shenjat e një shteti tjetër.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa është shprehur se Serbia është sot e vetmja republikë ish-jugosllave ku banon një pakicë kombëtare shqiptare që i ndalon me ligj simbolet kombëtare shqiptare.

“Po të njëjtat simbole që lejoheshin në sistemin monist jugosllav para rreth tridhjetë vitesh, ndalohen sot në Serbinë e cila pretendon vlera demokratike evropiane”, tha Mustafa.

Sipas tij qeveritë respektive të Serbisë vazhdojnë të trumbetojnë se po respektojnë të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Serbi.

“Pikërisht ndalimi ligjor i përdorimit të simbolit kombëtar nga autoritetet shtetërore dëshmon diskriminimin dhe shtypjen e shtetit ndaj diversitetit, të ndryshmes, asaj që nuk është serbe”, ka thënë Mustafa.

Përfaqësuesit politik shqiptarë në Luginë të Preshevës edhe pse qeverisin me komunën e Bujanocit, Preshevës dhe Këshillin Kombëtar Shqiptar janë treguar të paaftë për zgjidhjen e kësaj problematike që shpeshherë qytetarë dhe politikanët janë ndjekur penalisht nga gjykatat e Serbisë.

Ligji për të drejtat e pakicave në Serbi është aprovuar në vitin 2002 dhe shqiptarët deri në vitin 2004 kanë pasur probleme edhe në përdorimin privat të flamurit, si në rastin e dasmave, por në këtë kohë ish Komisioneri i OSBE-së për të Drejtat e Pakicave ka ndërhyrë duke ndarë çështjen e përdorimit të flamurit në atë privat dhe zyrtar, duke i ndaluar autoriteteve të Serbisë që të përzihen në përdorimin privat.