[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Pushimi të dielën – kush po e mbështet e kush po e kundërshton iniciativën



Dita e diel është propozuar që të jetë ditë pushimi në komunën e Gjilanit. Këtë propozim e ka bërë deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku e cila vjen nga ky qytet. Një propozim të tillë po e vlerësojnë si anti-kushtetues, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.

Kryetari i këtij institucioni Valon Prestreshi ka thënë për Gazetën Express se deklarimet e tilla të deputetëve nxisin institucionet shtetërore gjegjësisht komunat që të ndërhyjnë direkt në kompetencat e biznesit. Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi është shprehur se pushimi ditën e diel nuk është në interes të askujt.

Komuna e Vushtrrisë ka vendosur që dita e diel të jetë ditë pushimi përveç bizneseve të kategorive të caktuara të cilat do të vazhdojnë të punojnë.

Nxitur nga kjo, një gjë të tillë ka propozuar edhe deputetja që vjen nga Komuna e Gjilanit, Valentina Bunjaku.

Bunjaku për Gazetën Express ka thënë se e diela duhet me qenë pushim dhe pikë.

“Unë mendoj që të dielën duhet me qenë pushim dhe pikë. Kjo është në përputhje me të drejtën e punëtorëve, edhe punëtorët duhet me pasë një ditë pushim. Gjithkund pushohet ditën e diel”, ka thënë ajo.

Deputetja nga radhët e LDK-së, ka thënë se kësaj iniciative do t’i shkojë deri në fund.

“Nëse gjej përkrahje tek kolegët e mi, do të shkoj deri në fund për këtë çështje”, tha ajo.

Bunjaku ka komentuar edhe deklaratën e Kryetarit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, ku sipas tij deklaratat e tilla të deputetëve janë anti-kushtetuese

Ajo ka thënë se AKK-ja mund t’i ndjekë rrugët ligjore nëse mendojnë se kërkesa është anti-kushtetuese.

“Nëse Autoriteti Kosovar i Konkurrencës mendojnë që kërkesa është anti-kushtetuese i kanë rrugët ligjore le t’i ndjekin. Unë mendoj që është edhe më e padrejtë ndaj punëtorëve që nuk iu mundësohet pushimi të dielën. Të gjitha komunat duhet të pushojnë të dielën, edhe punëtorët kanë nevojë për pushim”, ka thënë deputetja Bunjaku.

Sa i përket propozimit të bërë, deputetja Bunjaku ka thënë se “Unë kam propozuar invidualisht për një gjë të tillë dhe jo si LDK”.

Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi ka thënë për Gazetën Express se kërkesa që dita e diel të jetë ditë pushimi është në kundërshtim me kushtetutën dhe sistemin ekonomik të Kosovës.

“Ne si Autoritet i Konkurrencës e shohim shqetësuese dhe në kundërshtim me politikat e ekonomisë së tregut me konkurrencë të lirë. Kushtetuta e Republikës e ka përcaktuar qartë sistemin tonë ekonomik në nenin 10, pra ekonomi e tregut me konkurrencë të lirë. Ndërsa neni 119 paragrafi 3 parasheh që veprimet që kufizojnë konkurrencën e lirë përmes vendosjes e pozitës dominuese apo praktikat që e kufizojnë konkurrencën janë të ndaluara”, ka thënë Kryetari i AKK-së

Prestreshi është shprehur se Ligji aktual i Punës nuk e përcakton që dita e diel duhet detyrimisht të jetë ditë pushimi.

“Poashtu  bazuar në dispozitat aktuale të Ligjit të Punës neni 30 dhe 31 nuk e përcaktojnë që dita e diele detyrimisht duhet të jetë ditë pushimi. Përcaktimi i ditëve të pushimit gjatë javës bie në kompetenca ekskluzive të punëdhënësit”, ka thënë ai.

Prestreshi ka thënë se kërkesat e tilla të deputetëve nxisin institucionet konkretisht komunat që të ndërhyjnë direkt në kompetencat e biznesit.

“Ne jemi të vetëdijshëm se shprehjet dhe deklarimet e deputetëve janë të lejuara por këto deklarime motivojnë dhe nxisin për marrje të veprimeve konkrete institucionet shtetërore që janë komunat dhe që këto veprime janë ndërhyrje direkte ne kompetencat e biznesit dhe punëdhënësit. Konsiderojmë se ndërhyrja e shtetit në biznese dhe në rregullimin e tyre afarist përmbanë elemente kundërthënëse me atë të sistemit ekonomik të vendit tonë”, tha ai.

Ai ka deklaruar se shqetësimin për këtë çështje, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës do t’ia dërgojë edhe Kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmanit përmes një shkrese.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë për Express se mbështesin shqetësimin e ngritur nga AKK-ja lidhur me propozimin që dita e diel të jetë ditë pushimi.

Rukiqi tha se një vendimi i tillë do të ishte i dëmshëm për bizneset dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi.

“Një vendim i tillë është i dëmshëm për bizneset dhe është në kundërshtim me ligjet tjera që janë në fuqi, prandaj mbi bazë nuk ka arsyeshmëri ekonomike dhe nuk është në interes të askujt dhe mendoj që nuk duhet të shkohet më tutje. E ndajmë të njëjtin mendim me Autoritetin Kosovar të Konkurrencës”, ka thënë Rukiqi.

Kurse Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë sot ka dalur me një qëndrim lidhur me vendimin e disa Komunave që dita e diel të jetë ditë pushimi për bizneset.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka deklaruar se kjo iniciativë ndikon në ngadalësimin e rritjes ekonomike.

“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj lidhur me vendimet e disa Kuvendeve Komunale anembanë Kosovës për ndalimin e punës së bizneseve ditën e diel, gjë që do të kufizojë aktivitetet ekonomike, e rrjedhimisht do të ndikojë edhe në ngadalësimin e rritjes ekonomike në përgjithësi”, thuhet në reagimin e Odës Ekonomike Amerikane.

Tutje Oda Amerikane ka thënë se iniciativa e tillë nga komunat ndikon në thellimin e papunësisë në vend.

“Oda Amerikane beson se kufizimi i punës së bizneseve, do të ketë implikime në thellimin e mëtejmë të nivelit të papunësisë në vend, në kundërshtim me përpjekjet e gjithmbarshme për fuqizim të sektorit privat, krijim të vendeve të reja të punës dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve”, thuhet në qëndrimin e Odës Amerikane.

Menu Title