.
×

Putin i propozon NATO-s memorandum për raketat e vendosura në Evropë



Gazeta ruse “Kommersant” ka raportuar se presidenti Vladimir Putin ia ka dërguar NATO-s një propozim, me të cilin i ka bërë thirrje për miratimin e një memorandum për vendosjen e raketave me rreze të shkurtër dhe të mesme në Evropë.

Sipas kësaj gazete, propozimi është dërguar më 19 shtator. Ky raportim vjen në kohën e frikës për rritjen e garës së armatimit për shkak të dështimit të Traktatit për Forca Bërthamore me Rreze të Mesme.

Ky traktat doli nga fuqia më parë gjatë këtij viti pasi Shtetet e Bashkuara u tërhoqën zyrtarisht nga marrëveshja. Një gjë e tillë ndodhi pas akuzave të shumta se Moska ka ndërtuar sistem raketor tokë-ajër në kundërshtim me rregullat e traktatit.

Më pas, nga kjo marrëveshje u tërhoq edhe Rusia, e cila i ka mohuar vazhdimisht akuzat e amerikanëve.

Gazeta raporton se letra e presidentit rus u është dërguar edhe Bashkimit Evropian dhe Kinës. Në të bëhet thirrje edhe për një sistem të ri të verifikimit të armëve. “Do të doja të theksoj se zbatimi i një skeme të tillë kërkon masa shtesë të verifikimit, sidomos në rastet kur hedhësit e raketave me rreze të mesme tashmë janë të vendosur në Evropë”, raportohet se thuhet në letrën e Putinit.

Më parë, presidenti rus ka thënë se vendi i tij do të instalojë raketa bërthamore në Evropë vetëm nëse të njëjtën gjë e bëjnë Shtetet e Bashkuara, shkruan “Free Europe”,