.
×

Qeveria e Bashkia e Tiranës (Rama e Basha) përplasen edhe për vizitën e Papës në Shqipëri



Qeveria dhe Bashkia e Tiranës përplasen për vizitën e Papa Franceskut në Tiranë. Dy pushtetet kanë dhënë fonde paralele për altarin ku do të mbahet mesha e shenjtë e Papa Franceskut.

Dje, në mbledhjen e qeverisë, u morr vendimi për t’i shtuar fonde Ministrisë së Kulturës me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Tiranë. “Ministrisë së Kulturës, në buxhetin e miratuar për vitin 2014, t’i shtohet fondi prej 29 400 000 (njëzet e nëntë milionë e katërqind mijë) lekësh”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Ndërsa Bashkia e Tiranës ka miratuar fondin prej 50 mijë eurosh, për ndërtimin e altarit ku do të mbahet mesha e shenjtë nga Papa Françesku, të dielën e 21 shtatorit në Tiranë.

Paratë që do t’i jepen Ministrisë së Kulturës do të ndahen si më poshtë: “8 748 128 (tetë milionë e shtatëqind e dyzet e tetë mijë e njëqind e njëzet e tetë) lekë, për mbulimin e shpenzimeve të shtesës së punimeve në zbatim të projektit “Për ndërhyrje rehabilituese në sheshin “Nënë Tereza””; b) 10 578 262 (dhjetë milionë e pesëqind e shtatëdhjetë e tetë mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e dy) lekë, për mbulimin e shpenzimeve për shtesë fondi në zbatim të projektit “Për realizimin e dekorit të qytetit të Tiranës në kuadër të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri” si dhe aspektet organizative e protokollare të ceremonialit të vizitës së Papa Franceskut; c) 1 673 610 (një milion e gjashtëqind e shtatëdhjetë e tre mijë e gjashtëqind e dhjetë) lekë, për mbulimin e shpenzimeve “Për realizimin e altarit të meshës që do të mbajë Papa Françesku”; ç) 8 400 000 lekë (tetë milionë e katërqind mijë) lekë, për mbulimin e shpenzimeve që do të kryhen për realizimin ekspozitës në Muzeun Historik Kombëtar, në kuadër të ardhjes në Shqipëri të Papa Françeskut. 4. Ky fond të përballohet nga fondi i kontingjencës, i miratuar në buxhetin e vitit 2014. 5. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në vendimin e qeverisë.