.
×

Rama për hapjen e negociatave: Fjala e fundit nuk është thënë akoma, të presim deri nesër



 

Pavarësisht sinjaleve pesimiste që vijnë nga Brukseli, kryeministri Edi Rama theksoi mbrëmjen e sotme në emisionin “Open” në Top Channel se fjala e fundit për hapjen ose jo të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian nuk është thënë akoma.Rama deklaroi se duhet të pritet të shihet vendimi nesër, pasi diskutimet në tryezën e Këshillit Evropian vijojnë ende.“Gjermania dhe një front i gjerë që mbron idenë se duhen çelur negociatat, dhe nga ana tjetër Franca dhe dy a tre vende që mbrojnë idenë se nuk duhet vazhduar por duhet një qasje e re.

Jemi në kushtet ku as Shqipërisë dhe as Maqedonisë së Veriut dhe as gjë nga ato që kemi bërë apo duhet të bëjmë akoma, nuk kanë asnjë lidhje me atë që po debatohet në tryezën e Këshillit Evropian.

Fjala e fundit akoma nuk është thënë. Diskutimi vazhdon intensivisht edhe pse qëndrimi i presidentit francez lë pak shpresë për të patur një dritë jeshile sonte. Të presim deri nesër për të kuptuar se ku realisht ndodhet procesi. Nuk ka një përfundim akoma”, u shpreh Rama.Rama mohoi konstatimin e gazetares Eni Vasili se vitin e kaluar kishte njoftuar marrjen e datës për çeljen e negociatave:“Pikësëpari nuk e thashë unë, e shkruajti e zeza në të bardhë Këshilli Evropian.”

Sipas kryeministrit, refuzimi i shteteve të BE-së nuk ka të bëjë me Shqipërinë.“Së dyti, dëgjova zotërinjtë në studio dhe desha të them se nga njëra anë ndarja e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria nuk ka qenë qasje e shumicës, por e një numri të vogël vendesh, përkatësisht e vendeve që sot janë në anën e atyre që nuk refuzojnë dy shtetet… sepse ky është kulmi, të gjithë krerët e shteteve të BE u thonë se ky është një problem i brendshëm nuk ka të bëjë me ju, ndërsa ‘gjithëllogët’ vazhdojnë me avazin se kjo është një çështje që lidhet me ne. Kjo çështje nuk ka të bëjë me ne”, tha Rama.