.
×

Reali nënshtron PSG-në në Bernabeu 3 me 1 (Video)



Real Madridi ka shënuar fitore prej 3-1 kundër Paris Saint-Germainin në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve në duelin e shumëpritur që u zhvillua në Santiago Bernabeu.

 

Nikoqirët i patën dy raste shumë të mira në pjesën e parë përmes Cristiano Ronaldos, mirëpo portugezi nuk arriti të tregohej i saktë.

Derisa angazhimi i vazhdueshëm i mysafirëve, bëri që ata ta gjenin rrjetën. Një aksion i nisur nga Kylian Mbappe, i cili harkoi ulët në zonë, Edinson Cavani e lëshoi topin për Neymar, ndërsa braziliani e ktheu me thembër për Adrien Rabiot, i cili shënoi në qendër të portës (33′).

 

Pa përfunduar pjesa e parë, Toni Kroos u ndal në mënyrë të parregullt në zonë dhe arbitri akordoi penallti. Crisitano Ronaldo ishte i saktë nga pika e bardhë (45′).

Angazhimi i Los Blancos ishte shumë më i madh në gjysmën e dytë, në të cilën arritën t’i shënojnë dy gola.

 

Në minutën e 83-të, pas një topi të kthyer në zonë, Cristiano Ronaldo e përmbysi rezultatin duke e kthyer në favor të skuadrës së tij.

 

Menjëherë pas, Marco Asensio e gjeti Marcelon në zonë, i cili me të parën e goditi topin për ta futur në rrjetë (86′).

 

Epërsia prej dy golash e favorizon Real Madridin për t’u kualifikuar në çerekfinale, mirëpo duhet pasur parasysh se Paris Saint-Germaini do të luajë para tifozëve të vet më 6 mars.