.
×

Rexhepi: Kryeparlamentari i takon PDK-së, ndryshe i drejtohemi Kushtetueses



Kryetari i Kuvendit të Kosovës është e drejtë e rezervuar e PDK-së dhe askush tjetër nuk ka të drejtë ta zgjedh atë pasi sërish do të jetë thyerje e Kushtetutës së Kosovës.

Ndërsa, iniciator që mos të ketë qeverisje Thaçi 3 është Lëvizja Vetëvendosje, e cila me nënshkrimin e marrëveshjes së bërë me LAN, ka dëshmuar se krejt ajo çfarë po e bënë është lufta për pushtet dhe jo për interes të popullit siç kanë bërë retorika politike deri më tani.

Kështu ka deklaruar anëtari i kryesisë së PDK-së dhe njëkohësisht ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, në një intervistë për KosovaPress.

Rexhepi ka thënë se blloku në fjalë nuk ka mundësi që ta marrë pushtetin në mënyrë artificiale.

“Kjo nuk ndërron asgjë për arsye se edhe Vetëvendosja ka qenë, nëse jo drejtpërdrejt për qeverisje ose bashkëqeverisje, e ka përkrahur nismën e LAN-it, në shkeljen e Kushtetutës. Iniciator të krejt kësaj, me idenë e dikujt tjetër, që mos të ketë qeverisje Thaçi 3, iniciator praktik kanë qenë Vetëvendosja. Por Vetëvendosja me këtë vetëm ka dëshmuar edhe një herë jashtëretorikës politike se ata i bëjnë gjitha për interes të popullit apo qytetarëve në fund janë demaskuar dhe janë parë se krejt këta qa kanë bërë politikisht ka qenë lufta për pushtet”, ka deklaruar Rexhepi.

Ai ka shtuar se marrëveshja e nënshkruar mes këtyre subjekteve dhe kërkesat e bëra të Lëvizjes Vetëvendosje, janë të pa pranueshme sa i përket dialogut, rishikimit të privatizimit, etj, nga partnerët ndërkombëtarë. Gjithashtu, sipas tij, këto kërkesa nuk lejohen as me normat demokratike.

Kjo marrëveshje dhe ky kundërshtim për qeverisjen e Thaçi 3, sipas Rexhepit, janë vetëm interesa grupore për luftën për pushtet pasi nuk kanë parë mundësi tjetër që ta mundin PDK-në.

Rexhepi ka thënë se në bazë të situatës reale nuk ka të dhëna të sakta se ai kanë numrat për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit, por thotë se nëse PDK-ja nuk mundet ose nuk merret vesh me ndonjë parti që të bëjë koalicionin atë herë kjo shkon në pafundësi.

Megjithatë, favorit i Rexhepit për koalicion mbetet Lidhja Demokratike e Kosovës dhe komunitetet në mënyrë që sipas tij të ketë edhe pozitë të fortë edhe opozitë.

“Unë besoj se në atë kohë do ta shohin që nuk kanë mundësi ai bllok me marrë pushtetin në mënyrë artificiale në atë formë dhe do të vetëdijesohen për interes edhe të vendit, institucioneve dhe qytetarëve do të jetë presion i madh ndaj të gjithëve dhe do të bëjmë koalicion me disa prej atyre. Unë kam thënë publikisht që unë jam në favor me u bo koalicion me LDK-në dhe me komunitetet që të kemi edhe pozitë të fortë edhe opozitë të fortë……Nëse dështon që PDK-ja me partnerët e koalicionit ta zgjedhin ndërpritet seanca. Nëse tenton blloku me zgjedh është thyerje e kushtetutës, prapë do të shkojë në kushtetuese dhe do ta kenë të njëjtën përgjigje për arsye se është e njëjta procedurë gati. Unë besoj se në atë kohë do ta shohin se nuk kanë mundësi ai bllok me marrë pushtetin në mënyrë artificial.”, ka pohuar Rexhepi.

Nëse dështon që PDK-ja me partnerët e koalicionit ta zgjedhin kryetarin, sipas Rexhepit, ndërpritet seanca. Dhe nëse tenton blloku ta zgjedh kryetarin, kjo sipas tij është thyerje e kushtetutës dhe prapë do të shkoj në kushtetuese dhe do ta kenë të njëjtën përgjigje sepse është pothuajse e njëjta procedurë.

Rexhepi ka ftuar subjektet politike të jenë të vetëdijshëm dhe të gjejnë një formë që sa më shpejtë të themelohen institucionet dhe mos të ketë vakum institucional për arsye se ajo është dëm për Kosovën, për qytetarët, për perspektivën e Kosovës. Ai ka pohuar se aktgjykimi i Kushtetueses është shumë i qartë por tjetër është dëshira dhe tjetër kamuflimi i të vërtetës.