.
×

Sadbere Gagica Spahija: Matanë Murit



 

Errësirë, jashtë frynë një erë e lehtë. Yjet lozonjarë enden në qiellin e lartë, ku ndonjë shkëputej pa zhurmë në horizontin përtej ëndrrës. Edhe në muzgun e natës pikojnë mendimet, pikojnë lotët. Stinët ikën nëpër erërat e fjalës si një stuhi e tërbuar në hapësirën e pafund. Qielli duket se është i mllefosur.

E lodhur nga zgjimi dhe agimi i ditës, vështroja portretin e varur, mbuluar me hije trishtimi nga pluhuri i harresës. Xhamat e mbuluar me perde mëndafshi ruanin të fshehtat e jetës. Dëgjoheshin akrepat e orës që rrëshqisnin mbi tik-take me tingujt e lumenjve të ndarë, që më kujtonte ikjen në pyll kur rrënohej kodra, e degët klithnin si shpirti im bonjak. Me vrap fshihesha në kopshtin e vuajtjeve dhe qaja aty në trungun plak, ku shqiponja kishte ndërtuar çerdhen e rojës kufitare, e loti pikonte te bregu i mosharrimit me fytyrën e skuqur nga zemra jote.

Ofshamë, heshtje… Buza nganjëherë më shkonte në gaz, sikur buzëqeshja e një skllavi, kur kryqëzohet jeta me vdekjen e trishtuar dhe të guximshme në gotën e helmuar. Matanë murit rriteshin trëndafilat e ujitur me lotët e udhëtares së lodhur nga udhëtimi i shpresës në botën mashtruese. Këmbët i tërhiqte zvarrë nëpërmes baltës me baltë. Si të hapëronte tutje kur ëndrrat ia vranë e toka i digjej nën këmbë.

Nostalgji… le të bëhen lotët shi. Në pritje e mejtuar u gjunjëzova nën qiellin e hapur dhe bërtita: “A jemi të vdekur, ne që jemi të gjallë!? A jeni të gjallë, ju qe jeni të vdekur!?” Jeta ime ngjan në lumin e tharë. Nuk ka vend për qetësi dhe fat. Gjithnjë ekziston një vrimë nëpërmes të cilës gjithçka shpërthen, rrjedh. Deri Kur do të përpiqemi te mbushim lumenjët e shpirtit. Deri kur? Apo të tërhiqemi e të pushojmë, të përpiqemi të arnojmë plasaritjet e zemrës!? Të vdesim apo të jetojmë nëpër çaste, aty ku kurorëzohen kufijtë e jetës me vdekjen, te porta e kasapëve spërkatur me njolla gjaku!?

Dëgjoja zërat e trishtë të pentagramit të këputur me lotët e fshehur… Zjarr është dhimbja ime, zjarr u bë zemra ime! Edhe Unë u zhyta në oqeanin e pikëllimit, nga lëvozhga e shpirtit që nxjerr ëndrrën e trazuar të netëve pa gjumë, përplot rënkime. E braktisur si një pikë shiu, rrëshqas në vendlindjen time, udhëtare e vonuar, strukur në gjirin e bilbilit.

 

13 .06.2018