.
×

Sami Kurteshin dhe Ismajl Kurteshi dështojnë të bëhen deputetë, munden nga disa të rinj në Gjilan



Dy ish-deputetët e Vetëvendosjes që kanë mes vete edhe lidhje familjare, Sami Kurteshi dhe Ismajl Kurteshi nuk kanë arritur të bëhen deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Dy anëtaret e familjes Kurteshi që vijnë nga Gjilani kanë dështuar kësaj here të bëhen deputetë të Kuvendit të Kosovës, kështu duke u mundur nga disa anëtarë të rinj në këtë qytet.

Abëreshë Kryeziu-Hyseni është gruaja e cila ka marrë më së shumti vota në Gjilan dhe ka siguruar automatikisht ulësen në Kuvendin e Kosovës, ajo ka 5840 vota.

Pas saj vjen Alban Hyseni me 5765 vota, pas tij radhitet e treta Labinotë Demi-Murtezi me 4703 vota dhe Arijeta Rexhepi me 4603 vota.

Kurse dy ish-deputetët, Ismajl Kurteshi ka arritur të marrë vetëm 2836 vota dhe Sami Kurteshi me vetëm 1394 vota.

Kujtojmë se Sami Kurteshi vetëm disa orë pas dështimit për arritjen e një koalicioni parazgjedhor me LDK-në, Kurteshi akuzoi Isa Mustafën për siç thotë ai vrasjen e Astrit Deharit, aktivistit të LVV-së.

E përgjatë këtij shkrimi, Kurteshi përdori gjuhë linçuese edhe ndaj Mentor Shalës dhe Ridvan Berishës, drejtorit dhe përkatësisht kryeredaktorit të Transmetuesit Publik, që sipas tij, nuk raportuan siç duhet në rastin e Astrit Deharit, duke i akuzuar ata se fshehën të vërtetën.

Fyerjet, ofendimet e sharjet të Sami Kurteshit ndaj oponentëve politikë nuk janë të pakta, prezantimet e tij publike me raste mund të cilësohen edhe si skandaloze.

Tri vite më parë, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi e pati quajtur lopë ministren e Drejtësisë e cila vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Dhurata Hoxha.

Po ashtu kujtojmë se presidenti Hashim Thaçi kishte thënë se Sami Kurteshin e ka refuzuar ta merr në parti kur ka qenë anëtar i SHIK-ut.