.
×

SHBA: Tri media në Mal të Zi dezinformojnë me urdhër të Putin



E ngarkuara me punë në ambasadën amerikane në Mal të Zi, Judy Kuo, tha se tri media që veprojnë në tregun malazez, janë burime manipulimi, dezinformimi dhe të lidhura me qeverinë ruse.

Duke folur në një konferencë në Podgoricë ajo tha se të rinjtë dhe publiku i gjerë janë mjaft të ndjeshëm ndaj informacionit të rrejshëm dhe llojeve të ndryshme të manipulimit nga ana e mediave.

“Kush është burimi i këtij informacioni për publikun malazezë? Mund të përmend disa kontribuues kryesorë: ‘Sputnik’, i cili është direkt nën qeverinë ruse, portale në internet si ‘IN4S’ dhe ‘Borba’ të cilat janë të lidhura ngushtë me direktivat që vijnë nga Kremlini. Këto portale dhe disa ‘shtëpi mediale’ rajonale dhe lokale – nuk mendoj në ato që janë me të vërtetë media – janë mjaft aktive dhe shumë të koordinuara. Këto fushata kanë për qëllim të joshin publikun, të krijojnë rrëmujë dhe të krijojnë probleme në shoqëri dhe midis vendeve”, deklaroi ajo.

Diplomatja amerikane përmendi shembullin, kur mediat “me qëllim prezantuan histori të sajuara për krijimin e bazave të NATO’s në Mal të Zi duke pretenduar se Mali i Zi mori pajisjet ushtarake për t’i përdorur kundër Serbisë dhe Rusisë”.

“Sipas nesh, qëllimi i publikimit të gënjeshtrave të tilla, është të krijohet një klimë anti-NATO në Mal të Zi dhe ndasi mes njerëzve. Kjo është vetëm njëra anë e perspektivës së një fushate mirë të koordinuar, të udhëhequr nga Rusia, e cila gjithashtu përfshin mashtrimet kibernetike”, tha diplomatja Kuo.

Ajo deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë investuar në nisma që mbështesin përpjekjet e Malit të Zi, për të luftuar fushatat e dezinformimit.

Këtë vit përfundoi edhe gjykimi i të akuzuarve për tentim grusht shteti në Mal të Zi ku u dënuan dy persona që mendohet që janë spiunë rus.

Po ashtu këtë vit është ekspozuar aktiviteti i njësitit special 29155 të inteligjencës ushtarake ruse, famëkeqes GRU, nga prestigjiozja amerikane The New York Times. Njërin operacion ky njësit e kishte edhe në këtë tentim grusht shteti. Pikërisht ky dështim në Mal të Zi i drejtoi tek gjurmët e këtij njësiti agjencitë e inteligjencës së shteteve perëndimore.