.
×

Shefi i NATO’s: Aleatët duan zgjidhje politike në Siri



Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg theksoi se vendet anëtare të aleancës kanë zhvilluar një debat të hapur dhe të sinqertë në lidhje me zhvillimet në Sirinë verilindore dhe kanë shprehur mbështetje për një zgjidhje politike duke u fokusuar në “të ardhmen”.

Duke folur në një konferencë shtypi pas seancave të ditës së parë të Takimit të Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, Stoltenberg tha se megjithëse vendet anëtare të aleancës kanë mendime të ndryshme lidhur me Sirinë, kjo nuk është hera e parë dhe diversitetet e tilla janë zgjidhur në të kaluarën.

“Ne zhvilluam një debat të hapur dhe të sinqertë në lidhje me Sirinë. Të gjithë aleatët u fokusuan në të ardhmen. Pas zhvillimeve të fundit, dhuna është zvogëluar në mënyrë të konsiderueshme. Në këtë drejtim, ne ramë dakord për rritjen e përpjekjeve për zgjidhje politike në Siri”, theksoi Stoltenberg.

“Aleatët brenda NATO-s pranojnë se Turqia ka shqetësime legjitime për sigurinë e saj” shtoi ai ndërsa shprehu nevojën për më shumë përgjegjësi ndërkombëtare për garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Stoltenberg po ashtu nënvizoi se vendet anëtare kanë mendim unanim për sa i përket zbatimit të zotimeve ndaj operacioneve dhe misioneve në rajon dhe ruajtjes së fitimeve të arritura nga lufta kundër organizatës terroriste DEASH.