.
×

Shfaqja “Dilerat” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit “MOT”



Shfaqja “Dilerat” me regji të Bekim Lumit, prodhim i Teatrit Laborator “Loja”, do të marrë pjesë në edicionin e 39-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “MOT” (Mlad Otvoren Teatar / Teatri i Ri i Hapur),  i cili, prej 19 – 26.09.2014, mbahet në Shkup  (Maqedoni).  Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Bujar Ahmeti, Ermal Sadiku, Faris Berisha dhe Shaban Behramaj.

Festivali “MOT” është një festival ndërkombëtar me një traditë të gjatë 40 vjeçare, i cili, me profilin dhe fizionominë e tij artistike, i paraqet dhe i promovon shfaqjet dhe performancat teatrore, të cilat, me formën, përmbajtjen, idetë dhe karakterin e tyre konceptual bashkëkohor, sjellin risi në fushën e teatrit.

Ky është edicioni i 39-të i këtij festivali, në të cilin, me 17 shfaqje teatrore, marrin pjesë dhe paraqiten artistë, krijues dhe teatro të njohura nga vende të ndryshme të botës, të tilla si: Anglia (Mbretëria e Bashkuar), Belgjika, SHBA, Italia, Kosova, Kroacia, Maqedonia, Meksika dhe Sllovenia. Në këtë festival Kosova përfaqësohet me shfaqjen “Dilerat” të Teatrit Laborator “Loja”, e cila do të jepet më 22 shtator, në orën 22:00, në një nga skenat teatrore të MKC-së, në Shkup. (Për më shumë, shikoni linkun e festivalit: http://mot.mk/?portfolio=loja )

“Dilerat” është një shfaqje teatrore eksperimentale e krijuar mbi tekstin “Në vetminë e fushave të pambukut” të autorit të shquar bashkëkohor francez Bernard-Marie Koltès, gjatë punës kërkimore – kreative mbi njëvjeçare (mars 2012 – maj 2013) të regjisorit Bekim Lumi me katër aktorë të rinj, në Teatrin Laborator ‘Loja’. E dizajnuar simbas njërit nga tekstet më të bukura dhe më poetike jo vetëm të këtij autori, por, përgjithësisht, edhe të dramaturgjisë së përbotshme të shekullit 20, kjo shfaqje është një kreacion eksperimental – laboratorik, përmes të cilit, në rrafshin tematik, trajtohet fenomeni i dilerizmit, apo bipolariteti, sa tërheqës po aq edhe refuzues, ndërmjet “tregtarit” dhe “blerësit”.

Premiera e shfaqjes “Dilerat” është dhënë më 6 qershor të vitit 2013, ndërkaq reprizat gjatë qershorit dhe tetorit të po atij viti në Shtypshkronjën “Rilindja”, në Prishtinë. Në nëntor të vitit 2013, shfaqja “Dilerat” është prezentuar edhe në kuadër të edicionit të 8-të të Festivalit Ndërkombëtar Muzikor “DAM”, përderisa në prill të vitit 2014 ajo është prezentuar në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental “Man.In.Fest” në Cluj-Napoca (Rumani). Pjesëmarrja në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit “MOT”, në Shkup (Maqedoni), e cila ka vetëm karakter prezentues, është paraqitja e dytë e kësaj shfaqjeje në skenën teatrore ndërkombëtare jashtë Kosovës. Ndërkaq, në vitin 2012, Teatri Laborator “Loja”, me shfaqjen “Këmisha e gjakut”, ka marrë pjesë edhe në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit “MESS”, në Sarajevë (Bosnje e Hercegovinë), në të cilin është nderuar me Mirënjohjen Speciale “Sound of MESS”.