.
×

Shqipëria dhe Kosova, sigurimet më të ulëta në rajon



Shqipëria renditet e para së bashku me Bosnje-Hercegonivën për numrin më të lartë të ditëve të pagueshme të leje së lindjes, edhe pse jo për masën e përfitimit

Në Shqipëri dhe në Kosovë, punonjësit trajtohen më së keqi në rajon kur është fjala për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, në raste të sëmundjeve apo pushimit të lindjes për gratë.

Studimi i Open Data Albania i publikuar ditë më parë tregon se Shqipëria, Kosova, Bosnje-Hercegovian dhe Sllovakia janë vendet e Rajonit që aplikojnë një sistem përfitimi të ulët, 60 % deri në 65 % të pagës. Ndërsa vendi me përqindjen më të lartë në rajon, është Serbia me 106% të pages; pas saj renditen vende si Kroacia; Greqia; Maqedonia; Mali i Zi; Sllovenia me një masë përfitimi 100% të pagës.

Megjithatë krahasuar veçanërisht me vendet e rajonit, të cilët aplikojnë të gjithë një sistem përftimi të pushimit të lindjes, Shqipëria renditet e para së bashku me Bosnje-Hercegonivën për numrin më të lartë të ditëve të pagueshme të leje së lindjes, edhe pse jo për masën e përfitimit, njofton rtklive.com. Mali i Zi është vendi me numrin më të ulët të ditëve të pagueshme të lejes së lindjes si në Evropë dhe në rajon, 45 ditë.

Në të gjitha vendet e Ballkanit përfitimi nga leja e lindjes paguhet nga shteti, me përjashtim të Kosovës ku kjo pagesë përballohet si nga shteti edhe nga punëdhënësi. Sipas Kodit të Punës të Republikës së Kosovës, punëdhënësi rëndohet të paguajë 180 ditë të lejes së lindjes me 70% të pagës bazë, ndërsa shteti paguan 90 ditët e tjera me 50% të pagës mesatare në Kosovë, duke treguar pozitat jo shumë të favorshme të punëdhënësit në Republikën e Kosovës.

Në këtë drejtim Open Data Albania po hulumton përfitimet që vijnë nga leja e lindjes në Republikën e Shqipërisë, Kosovë dhe vende të Evropës.

Në vendin tonë përfitimi për barrëlindje i jepet një gruaje të siguruar, lidhur me barrën dhe lindjen e fëmijës. Kusht për përfitim është që të ketë jo më pak se 12 muaj sigurim për çdo rast barrëlindjeje dhe të jetë e siguruar në momentin e lindjes së kësaj të drejte. Pavarësisht ulje-ngritjeve të numrit të përfituesve nga leja e lindjes, shpenzimet e bëra për pagesat e lejes së lindjes kanë ardhur në rritje vit pas viti. Në vitin 2009 këto shpenzime ishin rreth 1.23 mld lekë, ndërsa në vitin 2013 këto shpenzime ishin rreth 2.33 mld lekë.