.
×

Shqiptari Patrik Haziri, ylli që po shkëlqen në spektaklin “Reality Show Bachelor” në Zvicër



Tashmë ka filluar spektakli më i shikuar Reality Show Bachelor në Zvicër, të cilit i prinë me shumë sukses Patrik Haziri, nga Priboci, Komuna e Bujanocit (Lugina e Preshevës).

Në kraharorin e këtij djaloshi karizmatik 29 vjeçar, i gjatë 1.83 m. rrahin dy zemra, njëra për Kosovë e tjetra për Zvicër.
Patrik Haziri, apo siç e quajnë ndryshe “kavalieri i trëndafilave”, po shkëlqen si një yll estrade, në edicionin e tetë të emisionit shumë të shikuar të tipit të spektakleve live, që emetohet nga televizioni zviceran “3+”.

Për të fituar zemrën e këtij djaloshi me origjinë shqiptare, garojnë 21 femrat foto-modele nga më të bukurat në Zvicër dhe Evropë, ato bëjnë gara se cila do të rrëmbej trëndafilin e Patrikut, për t’i dhënë fund beqarisë së tij.
Spektakli i këtij Realit show ka filluar më 21 tetor dhe që nga kjo datë dhe ditët e tjera në vijim, Patriku do të njihet me vajzat e preferuara, me të cilat do të shkëmbej përvoja dashurie, duke larguar çdo javë njërën prej tyre nga shtëpia e këtij Bachelor-i. Krejt në fund, njëra nga vajzat e mbetura në këtë shtëpi, do të jetë shumë e lumtur, që do ta pranojë trëndafilin e lidhjes së dashurisë.

Dita e parë e këtij spektakli filloi me prezantimin e bukurosheve të veshura me elegancë dhe me mënyrën ekstra të paraqitjes në disa gjuhë botërore, që për Patrikun, nuk paraqesin problem, meqë ai në një moshë fare të re, flet në disa gjuhë krahas asaj amtare.

Patrik Haziri, para se të filloj spektakli ka shëtitur disa vende të mrekullueshme të botës deri në Azi dhe Afrikë dhe me shkathtësitë e tij po i tregon botës se shqiptarët po e pushtojnë këtë planet jo vetëm me bukuri e mençuri, duke nderuar veten, familjen, origjinën dhe vendin nga kanë shkuar në Evropë, fillimisht si punëtor krahu e më vonë edhe si yll i spektakleve nga më të shikuarat në Evropë.

Me Patrikun dhe sukseset e tij, krenohet jo vetëm Priboci i tij, por edhe Lugina e Preshevës dhe gjithë shqiptaria.
Sevdail Hyseni