.
×

Shtohen masat kundër virusit në Kinë, mbyllen shkollat në Hong Kong



Autoritetet në qytetin e goditur nga virusi, Wuhan, e kanë ndaluar qarkullimin e veturave në qendër të qytetit, ndërsa në Hong Kong do të mbyllen shkollat për dy javë me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.

Kryetarja e Hong Kongut, Carrie Lam, tha se qeveria e saj do të shpallë gjendje emergjente dhe do t’i mbyllë shkollat fillore dhe të mesme për dy javë në prag të festës së Vitit të Ri Kinez. Shkollat do të hapen më 17 shkurt.

Përpos mbylljes së shkollave, edhe trenat dhe fluturimet drejt qytetit Wuhan do të ndërpriten. Këto masa po merren për shkak të frikës nga përhapja e virusit gjatë festës më të popullarizuar në Kinë.

Virusi tashmë është përhapur në disa provinca të Kinës, por edhe në shtete të tjera, përfshirë Tajlandën, Japoninë dhe Shtetet e Bashkuara.

Në mesin e simptomave të këtij virusi përfshihen problemet me frymëmarrje, temperatura e lartë dhe kollitja, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Çfarë është koronovirusi?

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, koronoviruset janë një familje e viruseve, të cilat shkaktojnë sëmundje dhe çrregullime kryesisht të sistemit të frymëmarrjes. Këto lloje të viruseve transmetohen nga kafshët në njerëz. Kështu një virus i kësaj familjeje, i cili ishte përhapur në vitin 2003 në Kinë mendohej se së pari ishte transmetuar nga macet tek njerëzit, kurse virusi aktual thuhet se është marrë nga lakuriqët e natës dhe nga gjarpërinjtë.

Kur nisi shpërthimi i koronovirusit?

Më 8 janar “The New York Times” kishte raportuar se studiuesit kinezë kishin identifikuar një virus të ri, i cili nuk ishte parë më herët, dhe shkaktonte një sëmundje misterioze. Këtu shënon edhe gjeneza e virusit kinez, i cili tanimë është duke u përhapur në shumë shtete të botës.