.
×

Tahiri tregon se a do ta japë votën për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj



Deputeti Labinot Tahiri, ka mohuar se ka lidhje mes dekoratës që ia dha kryeministri Ramush Haradinaj dhe votës së tij eventuale për rrëzimin e Qeverisë.

Ai ka thënë se do ta jepte votën e tij, por para kësaj, opozita duhet të tregojë pse duhet të rrëzohet Ramush Haradinaj.

Në Rubikon të KTV-së, ai ka thënë se Haradinaj “ka punuar mirë dhe se era shtet prej se është shpallur pavarësia ka ardhur në kohën e tij”.

“Qe unë po jam i 59-i, le t’i gjejnë edhe dy vota e le ta rrëzojnë qeverinë. PSD nuk shkon në zgjedhje, njëjtë LDK. Le ta dinë të gjithë dhe Ramushi e dinë shumë mirë që unë nuk luhatem, nuk ka të bëj dekorata me punën e votës, ai me këtë medalje ka nderu miliona persona dhe të gjithë diasporën. Kjo medalje është për të gjithë ata njerëz që kanë ndihmuar”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka thënë se Haradinaj e ka marrë më herët vendimin për ta dekoruar atë me medaljen prestigjioze qeveritare, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

“Para disa muajve më ka thënë që je tu bë shumë mirë, është lidh atë kohë edhe me Kumanovën, ku dhurova rrogat e mija për ata fëmijë se prindërit i kishin nëpër burgje. Kryeministri ka mund të jetë emocional në rastet që unë i kam kryer. Shumë më herët është diskutuar, pas vitit ri ka mund të jetë kjo. Pas vitit të ri, atë kohë, është diskutuar tërë kohën rrëzimi i qeverisë”, ka thënë ai.

Megjithatë, duke mos qenë gjithaq i qartë në qëndrimet e tij, ai ka thënë se “gjithsesi e jep votën, por nuk do që ai të jetë personi që e rrëzon Haradinajn”.

“Le të bëhet një listë me të këqijat që i paska kjo qeveri”, ka thënë Tahiri.

“E jap votën për ta rrëzuar Haradinajn vetëm kur kam fakte që duhet të rrëzohet kjo Qeveri”, ka thënë ai më tej.