.
×

Të pagjeturit, këtë vit pritet gërmimi i 5 lokacioneve të reja



Botapress 30 Tetor – Qendra Burimore për Persona të Zhdukur sot ka mbajtur një sesion informues me familjarët e të zhdukurve për të njoftuar rreth ecurisë së këtij procesi. Nga aty u bë e ditur se deri në fund të vitit do të gërmohen edhe pesë lokacione të reja.

Kryetari i shoqatës “Zëri Prindërve” dhe njëherit udhëheqësi i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Bajram Çerkini kërkoi të dijë se çka po ndodh me mbetjet mortore që janë në Institutin Mjekësor Ligjor.Ai kërkoi sqarime se përse këto mbetje nuk po u dorëzohen familjarëve.

Përgjigjen e kërkuar e mori nga drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu i cili tha se mbi 300 mbetje mortore që ndodhen në Institutin e Mjekësisë Ligjore nuk i takojnë luftës së fundit.

Gërxhaliu tutje ka njoftuar rreth punës së bërë nga Instituti për periudhën janar-shtator 2019 ku tha se në 27 lokacione sa është gërmuar nuk ka pasur ndonjë gjetje.

Kurse, mbajtës i Dosjes për çështjen e personave të zhdukur, Jahja Lluka tha se vetëm në vitin e fundit janë bërë mbi 20 gërmime rezultatet e të cilave janë të vogla.

Lluka derisa paralajmëroi edhe 5 gërmime të tjera deri në fund të këtij viti tha se Beogradi po vazhdon ta politizojë çështjen e personave të zhdukur.

Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj kërkoi angazhim më të madh në zbardhjen e fatit të të pagjeturve pasi sipas tij vetëm kështu do të mund të ndihen më të qetë familjarët.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj u shpreh se Kosova në këtë situatë është shumë më mirë se të gjitha shtetet e rajonit, por që ende duhet të vazhdohet të punohet deri në zbardhjen e fatit të të gjithë të pagjeturve.

Sipas tij, mungesa e informacioneve të besueshme po sjell edhe mos efikasitet.

Kujtojmë që nga lufta e fundit në Kosovë ende nuk dihet për fatin e 1650 personave./kp