.
×

Teatri i Bernës josh shqiptarët me “Fluturimin…” e Jeton Nezirajt



Teatri i njohur “Schlachthaus” nga Berna në programin e publikuar pak ditë më parë ka prezantuar edhe shfaqjen e dramaturgut nga Kosova, Jeton Nezirajt, në regji të Blerta Nezirajt “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës”.
“Në synimin për të fituar publik të ri, “teatri është orientuar nga e ashtuquajtura “transkulturë” ose “interkulturë”; terma këta që po i zënë vendin konceptit të mirë dhe tashmë të vjetruar “multikulti”. Në këtë drejtim,  teatri  “Schlachthaus” në këtë sezon e ka në shënjestër komunitetin shqiptar-kosovar të Bernës. Do të shfaqet “komedia patriotike” “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”, realizim i grupit “Qendra Multimedia” nga Prishtina, shkruan gazeta nga Berna, “Der Bund”.

Jeton Neziraj, autori i shfaqjes, ka qenë dikur për një kohë të shkurtër drejtor artistik i Teatrit Nacional. Ai është shkarkuar  pasi që nuk ishte i gatshëm të celebrojë në mënyrë jokritike patriotizmin e kërkuar nga shteti.

Tema e komedisë së tij politike është dëshira që Ministria e Kulturës i ka shprehur një grupi të ri teatror për të shfaqur diçka të bukur për Ditën e Pavarësisë. Trupa bie në mes dy zjarresh; nga njëra anë dëshiron të shkëlqejë e në anën tjetër të kritikojë shtetin, i cili vendos se çka guxon e çka nuk guxon të thuhet.

“Me këtë shfaqje, që është interesante edhe për publikun tonë, ne duam ta joshim popullatën shqiptare-kosovare të Bernës për një vizitë në “Schlachthaus” – thotë shefja e teatrit, Maike Lex.

Kontaktet e para janë vënë para dy vitesh, kur një aktor nga Kosova (Diar Xani) ka qëndruar si mysafir “artist në rezidencë” në këtë teatër.
Ndërkaq, është planifikuar po ashtu që vazhdimi i bashkëpunimit me autorin (Neziraj) edhe në vitet në vazhdim, shkruan “der Bund”. Veç kësaj, edhe në klubin e të rinjve të këtij teatri do të ndiqet synimi për bashkëpunim me shqiptarët e Kosovës. Në këtë drejtim është paraparë lidhja e partneritetit me ndonjë klub të atjeshëm teatror të të rinjve”.

“Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës” shfaqet më 31 tetor në Teatrin “Schlachthaus” të Bernës. /albinfo.ch